SOT

Qytetari në veri të Mitrovicës që koleksionon lloje kaktusi

Në Mitrovicën e Veriut të gjithë e njohin si Cakani, por vetia për të cilën njihet është kultivimi i shumë llojeve të kaktusit.

Ka 45 vjet që qytetari me kombësi boshnjake, Seat Rexhepagiq, ka filluar kultivimin e kaktusit, e gjithë kjo dëshirë për t’u marrë me ta filloi në momentin kur ai e gjeti një lloj të kësaj bime në rrugë dhe nga aty e solli në shtëpi.

“Kaktusin e kultivoj për më shumë se 45 vjet, dikur kam punuar si vozitës me kamion dhe më ka rastisur të shëtis shumë vende të Evropës e nga ajo periudhë kam filluar t’i grumbulloj dhe t’i shumoj. E tani merrem me këtë aktivitet, e kam kënaqësi shpirtërore, jam i lidhur shumë me këtë punë dhe dua ta bëj. Fati ka dashur që gjatë udhëtimit e pata gjetur një kaktus që dikush e kishte hedhur dhe kur e morra aty fillova dashurinë ndaj tyre, janë të lehta për mirëmbajtje, kanë qëndrueshmëri të gjatë dhe është shumë e veçantë për ta mbajtur në shtëpi”, tha ai. 

Ai thotë se pjesën më të madhe të ditës e kalon në këtë hapësirë duke u shoqëruar me muzikën rok.

“Është me rëndësi se disa nga to çelin lule që zgjat 2-3 ditë, mirëpo kanë shumë karakteristika të tjera për t’i mbajtur dhe për t’i parë çdo ditë”, tha Rexhepagiq. 

Seati tregon se ka një bashkëpunim të shkëlqyer me partner të tjerë të cilët po ashtu janë koleksionues të kaktusit.

Me ta bëjnë këmbime për të plotësuar e shtuar llojet e bimës.

“Kemi një marrëdhënie të ngushtë me kultivuesit e shumtë, kam shoqëri në Prizren dhe vende të tjera shpesh bëhemi bashkë dhe i ndërrojmë kaktuset”, thotë ai. 

Seati deri më tani ka më shumë se 100 lloje të kaktuseve të kultivuar, e secili nga ta më i veçantë se tjetri. Shtimi i llojeve të tjera është synim i tij.

“Në shumicën e raste i shumoj, por në pak raste dua t’i shes. Tani për momentin unë kujdesem për to, por edhe djali im merret me to, pres që ta vazhdojë këtë punë, më pëpëlqen puna t’iu shërbej njerëzve për njohuri të tjera ndaj kaktusit, por jo t’i shes”.

E për Seatin një lloj i kaktusit është më i veçanti ndër të gjithë.

“Këta janë kaktuse të veçantë janë të vjetër më shumë se 20 vjet, zakonisht rriten në Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpër shkretëtira, këto nuk duan lagështi, duan vetëm të kenë sa më shumë thatësi, është vështirë për t’i mbajtur, por janë shumë të çmueshme, janë tejet të veçantë dhe jo çdo kush i ka. Shumica nga to qëndrojnë në nxehtësi, ka edhe prej tyre që e duan të ftohtin, por janë të rralla dhe nuk kanë shumë qëndrueshmëri, por nuk janë të vështira për mirëmbajtje”.

Përveç që duan pak kujdes e përkushtim, kaktuset që duken bukur kanë edhe veti të ndryshme kuruese si në trajtimin e sëmundjeve të traktit gastrointestinal e sistemit kardiovaskular.

Kush qëndron afër tyre, stresin e ka larg.