SOT

Gratë e komuniteteve trajnohen për punime artizanale me lule të thara

Këto vajza dhe gra nga komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptian, mblidhen çdo ditë këtu për të punuar në punë dore.

Me anë të luleve të thara ato krijojnë figura të ndryshme e arti i tyre i veçantë ka bërë që punimet e tyre të ekspozohen në panaire.

Për një punim të tillë duhen rreth 2 orë, varësisht nga lloji i artit që bëjnë.

Muzafere Jelliqi, që nga mosha 14-vjeçare është marrë me punime në artizanale. Tani përvojën e vet ua përcjell gjeneratave të reja.

“Punoj me projekte të ndryshme, interesimi i vajzave dhe grave në trajnimet me artizanale është i kënaqshëm. Vitin e kaluar kemi mbajtur po me të njëjtat gra punime me fjongo, ndërsa këtë vit jemi duke punuar me lule të thara ku bëjmë dekorime të ndryshme. Jam shumë krenare me nxënëset e mija, punimet e tyre më japin shumë ndjesi të mirë”, tha Jelliqi, mësuese e artizanaleve.

Është kjo Fatmire Qorri, nga Prizreni. Punimet artizanale i ka pasion, por tashmë janë bërë edhe profesion për të. Më për qejfi i ka punimet me lule të thara.

“Qe 3 vjet punoj me këtë aktivitet, jam shumë e kënaqur me mësimin që kam marrë nga trajnimet me artizanale. Nga trajnimet kam përfituar shumë, atë që e kam mësuar deri tash shpresoj të ja përcjelli gjeneratave të reja. Mosha nuk është problem atë që e donë mundesh me praktiku nuk është problem mosha aspak”, tha Fatmire Qorri, nxënëse.

Meleke Misini krahas studimeve gjen kohë për punë dore. Ajo thekson se artizanalet janë drejt zhdukjes dhe apelon që tradita të vazhdohet nga gjeneratat e reja.

“Nga trajnimet marrim zanate të ndryshme, që 3 vjet jam e rregullt në këto trajnime. Ne të rinjtë kemi ende vullnet që të punojmë në artizanale, në kohën e pandeminë nuk kemi pasur çfarë të bëjmë dhe përveç studimeve jam fokusuar edhe në punimet artizanale”, tha Meleke Misini, nxënëse. “Përveç që kam mësuar të punoj në artizanale kam përfituar edhe në anën financiare kam shitur punime të mia. Një mesazh kam për të rinjtë që të mos rrinë kot në shtëpi, por të ndjekin trajnime dhe ta shfrytëzojnë kohën e tyre më mirë për një të ardhme më të mirë”.

Indira Elshani, përmes organizatës së saj, mbledh vajza e gra pa dallim përkatësie etnike për punime dore.

“Situatë e vajzave dhe grave të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian është e renduar, pasi që ato janë të diskriminuara si vajza dhe gra në shoqërinë kosovare. Duke pasur se me çfarë probleme po ballafaqohen këto gra ka lindur ideja që ta fuqizojmë rolin e saj në familje po ashtu edhe në shoqëri. Përmes këtyre trajnimeve me punë dore do të jenë më të pavarura në aspektin ekonomik”, tha Elshani, nga organizata “Sakuntala”.

Ajo thekson se puna e tyre vlerësohet. Gjithashtu, ju bën thirrje të interesuarave që ta promovojnë punën e tyre përmes OJQ-ve të ndryshme.

“Këtë muaj kemi filluar me aktivitetin që ka të bëjë me kompozitë me lule të thatë. Ju bëj thirrje të gjitha vajzave dhe grave të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian që përmes mediave dhe rrjeteve sociale të informohen rreth aktiviteteve në artizanale që i bëjmë ne, si dhe të interesuarave të mos hezitojnë që t’i ndjekin këto kurse për një të ardhme të mirë”, tha Elshani.

Nuk janë vetëm këto punime me lule të thara, por ka edhe vepra të tjera artizanale, që i punojnë gratë e këtij komuniteti në Prizren e që tashmë janë ekspozuar dhe shitur në panaire të ndryshme në të gjithë Kosovën.