SOT

Klubi prizrenas që ka rreth 50 vetura të vjetra

Nën petkun e së vjetrës, ashtu siç është i ndërtuar i gjithë qyteti i Prizrenit, kanë zënë vend dhe po reflektojnë detaje unike të këtyre makinave të vjetra.

Ato u qëndruan viteve dhe tashmë po ruhen nga një klub që ka pasion koleksionimin tyre.

“Old timer Prizreni” ka në pronësi vetura të ndryshme që rrallë i gjen në Kosovë, thotë kryetari i klubit Ehat Oreshka.

Nga rreth 50 makinat e kohës së vjetër që ky klub i posedon, në mesin e tyre ka të tilla të cilat janë në gjendje të rregullt dhe funksionojnë, dhe të tilla që kanë nevojë për riparime. E është pikërisht teknika e vjetër me të cilën janë ndërtuar këto makina, që e vështirëson funksionalizimin.

Në një ngjyrë të kuqe flakë, me detaje të cilat i përkasin një stili të vjetër, por shumë unik, pjesë e klubit është edhe kjo makinë e tipit VOLVO. E lënë nga pronarët e saj të vdekur, Orashka e solli këtë veturë nga Suedia në Kosovë, për ta bërë qytetin e Prizrenit shtëpinë e kësaj makine.

Plot delikatesë, elementet e kësaj makine janë të njëjtat nga koha kur është prodhuar. Ajo është riparuar për të qenë më e fortë për përdorim, por elementet e saj të cilat pronarët kanë qenë të detyruar t’i prekin me shumë mundim kanë mbetur origjinale në karakteristikë.

Pjesë e koleksionit të “Old Timer Prizreni” u bë edhe makina e një personazhi shumë të dashur, si për anëtarët e klubit ashtu edhe për shqiptarët në përgjithësi. Është vetura e Bekim Fehmiut ajo që mbahet me fanatizëm nga anëtarët e klubit.

Orashka rrëfen se synimi i tij i fundit është një muze për ruajtjen dhe ekspozimin e veturave.

Të ruajtura në magazinë, janë këto makina arsyeja që shumë njerëz bashkohen shpesh dhe bisedojnë për to. T’i shohësh ato të jep ndjesinë sikur të jesh duke e parë një histori të tërë, pa pasur nevojë të lexosh.