SOT

Balerina që filloi baletin si 14-vjeçare, synon ta vazhdojë deri në pensionim

I kushton vëmendje secilit detaj. Kjo është Vjollca Llugiqi, ndër balerinat më të vjetra në Kosovë, e cila ushtron 2 orë në ditë të zakonshme, kurse rreth 7 orë para shfaqjeve finale.

“Në moshën 14-vjeçare jam regjistruar në balet, ideja për baletin ka qenë nga motra e cila ishte në shkollën e muzikës, por edhe në balet. Në fillim nuk e kam pasur idenë se çfarë është baleti, por tani janë bërë 21 vjet që merrem me balet dhe jam gjenerata e parë e pasluftës nga trupa e baletit”, u shpreh Llugiqi.

Ajo kujton shfaqjen e parë derisa gjithsej deri tash ka 70 paraqitje brenda dhe jashtë vendit.

“E kujtoj shfaqjen e parë që për mua ka qenë emocionuese sepse profesorët e baletit janë rikthyer pas një kohë të gjatë, ajo shfaqje ka qenë shumë e veçantë për mua. Për këto 20 vjet unë kam rreth 70 shfaqje në repertorin e baletit të stileve të ndryshme, si baletit, klasik, modern etj. Si trupë e baletit kemi marrë pjesë edhe jashtë vendit në festival të ndryshme”, tha ajo.

“Ne kryesisht punojmë me koreograf të huaj sepse kanë më shumë mundësi që të merren me ne. Edhe koreograf shqiptar kemi pasur, por ata janë të zënë me shfaqje jashtë vendit, por janë shumë bashkëpunues me ne, na ndihmojnë sa herë u jepet mundësia. Kemi marrë pjesë në Austri, Holandë, Zvicër, Gjermani, Paris të gjitha me koreograf të huaj”.

Baleti kërkon shumë kujdes dhe përkushtim gjatë ushtrimeve, thotë ajo.

“Unë si mësuese që punoj me fëmijët shoh të ardhme të baletit, pasi që ka shumë talent, por kur po arrijnë moshën 15-16, tërhiqen nga baleti. Unë iu kisha thënë mos e shuani ëndrrën tuaj, duhet të vazhdoni atë që doni e jo të zgjidhni profesione për arsye financiare apo diçka tjetër”, pohoi balerina.

35-vjeçarja thotë se baleti nuk njeh moshë, derisa synon që pas pensionimit do të merret me balet.

“Baleti nuk ka moshë edhe përkundër që është e kufizuar moshë në të cilën mund të bësh balet, ndjesia që ta jep ky profesion asnjëherë nuk ta shuan ëndrrën edhe dëshirën për të dalë në skenë. Baleti nuk më ka penguar as në krijimin e familjes, ëndrrën time e kam realizuar deri në fund. Unë ndihem më mirë në baletin konteporan sepse të jep më shumë shpirt, mundesh të dalësh jashtë kornizave krahasuar nga baleti klasik dhe modern”.

Balerina shpreson në zhvillimin e mëtejmë të baletit nga gjeneratat e reja.