SOT

Spitali i luftës në Llap, pjesë e muzeut në Penuhë

Mban mbi vete kujtime e histori të dhimbshme të kohës së luftës.

Mbi këtë tavolinë operative janë trajtuar rreth 720 të plagosur në periudhën e vitit 1998-1999.

Së bashku me pajisje të tjera kirurgjike që janë përdorur gjatë kësaj periudhe, kjo tavolinë që ishte pjesë e sallës së operacionit në Spitalin Ushtarak, po ruhet në muzeun e hapur në maj të këtij viti, brenda Kompleksit Memorial të dëshmorëve dhe Veteranëve të Zonës së Llapit.

Të konservuara, ato u ruajtën mirë nga kirurgu, Skender Murati, i cili së bashku me kolegët e tij të stafit mjekësor shërbyen në kohë lufte në këtë zonë.

“Në këtë tavolinë kanë qenë të shtrirë rreth 720 të plagosur, plagë me natyra të llojeve të ndryshme, duke filluar nga plagët më të lehta deri më të rënda, të cilat i kemi faktuar këtu. Këtu janë edhe instrumentet që i kemi përdorur në periudhën e luftës, ndërsa pjesa tjetër janë fashat, gazat, mantelet të cilat i kemi ruajtur në atë mënyrë siç kanë qenë kur ka mbaruar lufta, i kemi konservuar, i kemi ruajtur në shtëpi, dhe pas 22 vjetëve kemi vendosur që t’ia dorëzojmë shtetit, fatmirësisht është bërë edhe ky objekt që i plotëson kushtet për ruajtjen e tyre, së bashku me Agjencinë për Monumente të luftës, e kemi përpunuar tani është edhe ciceroni këtu dhe në këtë mënyrë mund të ju tregojmë edhe gjeneratave të reja për periudhën e luftës”, tha Murati.

Pajisjet të cilat ishin përdorur gjatë asaj kohe ishin klasike dhe disa prej tyre edhe të punuara vetë.

“Këto janë pajisje klasike jo moderne, të cilën ne e kemi punuar në periudhën e luftës, është me një vinç të thjeshtë dhe këto parametra i kemi marrë në një tavolinë në operatorin në Prishtinë dhe kemi punuar në mënyrë klasike me artizanalitë që janë këtu në komunën tonë, e kemi përpunuar në atë mënyrë që t’i shërbejë spitalit ushtarak”, tha Murati.

Kirurgu thotë se ideja për t’i ruajtur këto pjesë kishte ardhur si nevojë për t’u dëshmuar gjeneratave të reja historinë e kohës së luftës.

“Kur ka mbaruar lufta e kam menduar që këto mjete do të kenë një karakter historik, sepse pas luftës ne u vendosëm nëpër institucionet tona vendore dhe aty kushtet kanë qenë më ndryshe, nëpër institucionet shëndetësore dhe kam menduar t’i ruaj që të dihet se me çfarë kemi punuar në të kaluarën”, tha ai.

E pjesa e organizimit të spitalit nuk ishte aspak e lehtë.

“Në atë kohë kam qenë mjek sapo e pata përfunduar fakultetin. Nuk ka qenë i lehtë as organizmi i spitalit, por nevoja për t’i dalë në ndihmë njerëzve të këtij vendi, këtij populli nga një regjim aq i madh, e i kemi ditur se do të vijë ajo kohë dhe ne kemi punuar edhe në strukturat ilegale, sepse e kemi ditur se lufta do të vijë dhe në këtë mënyrë i jemi përveshur punës së bashku me shtabin e zonës për të krijuar spitalin ushtarak sepse ka qenë e kohës. Ne kemi punuar në atë drejtim të jemi të përgatitur edhe strukturat e tjera mjekësore të luftës dhe ushtarët të jenë të përgatitur. Që nga fillimi i rekrutimi të ushtarëve ne jemi marrë me atë të marrin vaksinën çdo ushtarë, të caktohet grupi i tyre i gjakut dhe të ketë të përcaktuar çdo kondicion psikologjik të një ushtari dhe këtë kemi arritur të bëjmë”, tha Murati.

Përveç kësaj, ai tregon edhe vështirësitë që kishin për gjetjen e stafit mjekësor.

“Problemi më i madh ka qenë organizimi i resurseve humane dhe sigurimi i stafit shëndetësor. Para luftimeve kemi qenë një grup i vogël i personave që kemi bërë këtë organizim. Kur ka filluar faza e luftimeve ka qenë e domosdoshme edhe shtimi i personelit. Së pari në Komunën e Podujevës e pastaj edhe në pjesën tjetër të Prishtinës. Rreth 40 mjekë kanë dhënë kujdestari, një herë në 24 orë në dy javë. Personeli tjetër kemi organizuar nga Prishtina e kanë pasur për detyre çdo 3tën ose 4tën ditë të vijnë. 130 janë personel shëndetësor që kanë punuar zonën operative të Llapit. Sigurisht pjesa më e madhe ka qenë staf që janë punuar në formë kujdestarie, ndërsa rreth 20 persona kemi qenë staf permanent, që kanë qëndruar në zonën e luftës”, tha ai.

Me 1 ose 2 orë gjumë, mjeku me emocione rrëfen edhe kohët më të vështira që i ka përjetuar ai me stafin tjetër mjekësor.

“Shpeshherë kemi hasur në gjendje të rënda që nuk kanë qenë të lehta jo vetëm për mua por për gjithë stafin. Po e përmendi rastin e bombardimeve në zonën e Shalës dhe Popovës ku kemi pasur një numër të madh të fëmijëve edhe prej moshës 9 e deri te pleq. Këto fotografi shohim Egzon Myftarin dhe Adelina Myftarin ku ua kemi amputuar dorën dhe këmbën dhe kanë qenë momente kur Adelina ka dalë prej operacionit dhe pasi i ka dalë anestezioni dhe ajo e ka kërkuar këmbën. E në atë rast ka qenë prekëse edhe për të gjithë ushtarët që kanë qenë aty. Kanë qenë pak forma bukur të rënda. Pastaj kemi pasur ushtarë kur ia kemi hequr veshkën, zorrët, ka qenë bukur e rëndë”, tha Murati.

Nga zona mes Llapit dhe Shalës e deri te Popova, ai thotë se është evokuar disa herë i gjithë spitali.

E duke e krahasuar me kohën e tashme, ai thotë se ka qenë vullneti i madh për lirinë që i ka mbajtur të fortë në atë periudhë të vështirë kohore.

“Tani kam përvojë 22-vjeçare si kirurg, kur kemi aksidente dhe na vijnë nga 5 a 6 ë plagosur dhe jemi në dilemë a po mund t’i trajtojmë të gjithë, ndërsa në luftë kemi pasur deri në 40 pacientë brenda 30 minutave”.

Përveç spitalit ushtarak, pothuajse secili fshat i zonës së Llapit ka pasur edhe ambulante të improvizuara nëpër të cilat është dhënë ndihma mjekësore për të plagosurit e luftës së Kosovës.