SOT

Futbolli bënë bashkë prizrenaset e të gjitha komuniteteve

Sporti më i popullarizuar në botë, futbolli, në Kosovë, me kalimin e viteve ka kaluar në faza të ndryshme zhvillimi. Si shenjë për këtë zhvillim, është përhapja e këtij sporti edhe te femrat, të cilat vetëm në vitet e fundit kanë filluar të angazhohen më shumë me futboll. Të tilla janë disa vajza të reja nga Prizreni, që luajnë futboll vazhdimisht në klubin e qytetit të tyre. 

Nuk ka gjë që u pengon që ta ndjekin ëndrrën e tyre. As gjinia.

Tradicionalisht, futbolli është luajtur nga djemtë, mirëpo, disa vajza të reja nga Prizreni nuk e kanë problem që ta thyejnë këtë praktikë dhe të merren me sportin që atyre u pëlqen.

Si një ndër klubet më të vjetra në historinë e futbollit në Kosovë, KF Liria, përveç ekipeve të meshkujve, ka edhe klubin e tyre të femrave, ku zhvillojnë stërvitje dhe ushtrojnë profesionin e futbollit vajzat nga Prizreni.

Klubi i femrave të Lirisë është themeluar mjaft vonë, me kërkesë nga Federata e Futbollit të Kosovës, si kriter bazë për zhvillimin e klubeve vendore. Trajneri i femrave, Naif Jahaj, njëherësh edhe themelues i klubit, tregon për historikun e themelimit.

Marrë parasysh rrethanat nëpër të cilat ka kaluar klubi, por edhe faktin se në Kosovë ka qenë e pazakontë që femrat të luajnë futboll, interesimi i vajzave për këtë sport nuk ka qenë i madh, thotë trajneri.

Ndërsa tash, dëshira dhe interesimi janë rritur dhe çdo ditë e më shumë, në qytetin e Prizrenit ka femra që duan t’i ndjekin qëllimet e tyre.

Trajneri Jahaj gjatë karrierës së tij ka qenë edhe trajner i meshkujve dhe rrëfen për ngjashmëritë dhe dallimet që ka puna me djem dhe puna me vajza në këtë klub.

Arta Trolli është prej të parave femra në Prizren që ka filluar të merret me futboll. Si kapitene e ekipit, ajo tregon se si nisi gjithçka për të.

Si qytet me shumëllojshmëri të kulturave, Prizreni në klubin e qytetit ka edhe futbolliste që vijnë nga komunitetet joshumicë, siç është Arifa Rama, nga komuniteti boshnjak.

Në klub është mirëpritur, por është paragjykuar në fshatin e saj për shkakun që luan futboll.

“Edhe pse unë jam boshnjake, prapë se prapë, koleget e mia futbolliste dhe stafi i klubit më kanë pritur shumë mirë, sikur të isha shqiptare. Por në fshatin tim, në Mushnikovë, më kanë paragjykuar shumë sepse unë jam femra e parë dhe e vetme deri më tani që në rrethinën e fshatrave të Zhupës që merrem me këtë profesion.”

Pjesëtare e këtij klubi është edhe Flora Halilaj, e cila përveç futbollit, merret edhe me referim të ndeshjeve. Flora kujdeset që të na rrëfejë për dallimet që ka për të qenët gjyqtare dhe futbolliste.

Me pranimin në UEFA dhe FIFA në vitin 2014, Federatës së Futbollit të Kosovës i është kërkuar që çdo klub, përveç ekipit të meshkujve, të ketë edhe ekipin e femrave dhe t’u ofrojë kushte vajzave të reja që të angazhohen në këtë sport.

Klubi futbollistik “Liria” ka 5 vjet që e ka përmbushur këtë kriter bazë të organizatave më të rëndësishme të futbollit botëror dhe evropian.