SOT

Bukuritë e rralla të fshehura thellë në Malësi e Tuz

Në malësi të Tuzit kanë filluar të vërehen ndryshime për të mirë nga kthimi i Tuzit në komunë të udhëhequr nga shqiptarët. E natyra mbetet mbresëlënëse me shumëllojshmëri bimësh, shpendësh, me liqe e lumë. Në këtë material do ta shohim një përshkim të këtij vendi dhe copëza nga e kaluara bashkë me të tashmen.

Në jug të Malit të Zi shtrihet Malësia e Madhe në qendër të së cilës është Komuna e Tuzit.

Pamjen e bukur asaj ane ia shtojnë malet brenda së cilave fshihen edhe më shumë bukuri.

Bimë të veçanta, kroje e monumente historike mban me vete mali i Hotit.

Kalimi i secilit metër për t’u ngjitur në pikat më të larta të këtij mali të ofron ndjenja që mbesin gjatë me ty.

Cicërimat e shpendëve, tingujt e burimeve të ujit e era që të ofron freski e bën rrugën e palodhshme e të rritë dëshirën për ta shkelur secilin cep të asaj ane.

Njëra nga rrugët të dërgon në lokalitetin e quajtur Traboin, ku është edhe Kroi i Traboinit.

E, në cep është “Lulja e Blinit”, një restorant i vogël ku petullat e Malësisë të shijojnë edhe më.

Shkrimtari Mark Pashku i lindur e rritur në Tuz shpreh qartë dashurinë për vendlindjen teksa e përshkruan Kroin e Traboinit me gjithë të kaluarën e tij.

Pjesa tjetër e Malit të Hotit e ruan një copë tjetër të rëndësishme të historisë, atë të atdhetarit Dedë Gjon Luli.

Fotografi, piktura e artefakte të tjera paraqesin kohën e Dedë Gjon Lulit mirë të përshkruar për vizitorët e muzeut, i cili është i ndërtuar në themelet e shtëpisë ku ai e kaloi tërë jetën e tij.

Fran Dedvukaj, pasardhës i Dedë Gjon Lulit, rrëfen për vizitat në këtë muze e për interesimin e madh për të kaluarën, sidomos nga të rinjtë e në veçanti ata nga Kosova.

Kur zbret nga mali i Hotit, në afërsi të qendrës së Tuzit, shtrihet fshati Vuksanlekaj.

Në varrezat e këtij fshati disa simbolizojnë rrënjët e thella të identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Kjo ngase në to janë të gdhendura figura që mendohet se datojnë që nga ilirët e lashtë.

Ende nuk është bërë ndonjë studim më i thellë për to tregon Luigj Camaj, profesor i gjeografisë i cili me shumë vendosmëri e thekson rëndësinë që e ka kjo trashëgimi.

Monumente që datojnë nga shekuj më parë nuk ka vetëm në Vuksanlekaj, por thuajse në tërë Malësinë.

Më tej rruga të dërgon në fshatin Narhelm nëpërmjet së cilit duhet kaluar për të dalë te liqeni i Shkodrës.

Pashku rrëfen rolin që liqeni e ka luajtur për ekonominë e banorëve të Narhelmit, pasi që shumë prej tyre peshkojnë aty.

Një bukuri tjetër ujore është lumi Cem me ujëvarën e shkëmbinjtë ku uji rri.

Për Pashkun, liqeni e lumi janë vështirë të krahasueshëm me njëri-tjetrin.

Të dy mbajnë madhështinë e vet, lumi me gjithë zhurmën që e lëshon e liqeni me gjithë qetësinë që e ka.

Malësia e Madhe me Tuzin që e mban në gjirin e saj ka një potencial të madh për turizëm e zhvillime të tjera.

Pasi që ka vetëm 3 vjet prej kur Tuzi është kthyer në komunë të pavarur nën udhëheqje të shqiptarëve, ndryshimi për të mirë ka filluar të vërehet.

Fadil Kajoshaj, kryetar i Kuvendit Komunal të Tuzit, thotë se edhe qytetarëve u është shtuar vullneti për punë në mënyrë që ndryshimet për të mirë mos të ndalen.

Në njërën nga pikat më të larta të malit të Hotit, ku shihet tërë Tuzi dhe një pjesë e Shqipërisë, perëndimi i diellit mbështjell natyrën me ngjyrë të zjarrtë për të sjellë natën e freskët në Malësi.