SOT

Certifikata falas për t'i regjistruar fëmijët e komuniteteve

Për dekada me radhë janë banorë të lagjes “Kodra e Trimave”.

Megjithëse jetojnë në Prishtinë, disa nga qytetarët e komunitetit Ashkali nuk konsiderohen si banorë të Kosovës. Madje nuk posedojnë asnjë lloj dokumenti identifikues.

Nuk janë të rralla rastet kur banorë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas nuk i regjistrojnë fëmijët e lindur.

Për të luftuar dukurinë nga 15 qershori deri më 15 korrik, Komuna e Prishtinës do të ofrojë shërbimet e gjendjes civile falas, që përfshinë certifikatën e lindjes dhe dokumentet e tjera të regjistrit civil.

Qenan Abazi dhe banorët e tjerë të kësaj lagjeje kanë potencuar se këto shërbime i kanë pasur çdo herë pa pagesë, pasi jetojnë me skemë sociale.

“Të gjitha komunitetet që kanë pasur karton të socialit i kanë pasur të gjithë pa pagesë këto shërbime. Edhe ne jemi me social”, tha Abazi.

Shqetësuese, sipas tij, është se në mesin e 77 familjeve të lagjes së tij kanë fëmijë që nuk po mund të regjistrohen përkundër kërkesave të kamotshme.

Abazi tregon rastin e një 15-vjeçari, ku si shkak i mungesës së dokumentit identifikues po i pamundësohet edhe vijimi i mësimit.

“Ka raste specifike që kanë qenë jashtë dhe tani janë kthyer dhe nuk kanë mundur t’i regjistrojnë sepse fëmijët nuk i kanë certifikatat e Gjermanisë. Është një djalë 15-vjeçar, të cilin nuk e kanë regjistruar prindërit e tij kur është lindur në Gjermani dhe pasi janë kthyer këtu nuk kanë mundur ta regjistrojnë sepse nuk ka asnjë dokument. Ai nuk shkon në shkollë për shkak të dokumentacionit dhe nuk mund të nxjerrë as letërnjoftim”, tha Abazi.

Drejtori i Administratës në Komunës të Prishtinës, Bersan Beka, thotë se në kuadër të kësaj fushate do përfshihen të gjitha procedurat e regjistrimit.

Sipas tij, vendim për lirimin nga pagesa e shërbimeve të gjendjes civile për komunitetet është marrë nga ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Vendimet që i kemi marrë ne kanë dalë nga ministri Krasniqi ku thotë të lirohen nga pagesa për shërbimet e gjendjes civile. Ne kemi marrë këtë vendim nga 15 qershori deri më 15 korrik, ku e kemi shqyrtuar edhe me kolegët në komunë se përderisa diaspora të vijë do të jetë një shtytje edhe për qytetarët që jetojnë këtu nga komuniteti RAE, që të bëhet regjistrimi sa më i madh i tyre. Si rrjedhojë e kësaj fushate do jetë pa pagesë, që të ketë sa më shumë regjistrime nga ky komunitet”, tha Beka.

Ai thotë se nuk kanë statistika se sa është numri i fëmijëve të paregjistruar nga ky komunitet, por shpreson me anë të kësaj fushate do të rritet interesimi.

“Statistika të sakta nuk kemi, po shpresojmë të kemi një numër më të madh këtë vit dhe po shpresojmë të kemi sukses edhe me këtë fushatë gjatë këtij viti. Është fushatë sensibilizuese, për atë është edhe është hequr pagesa”, tha Beka.

Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2011, nga 198,897 banorë të regjistruar në Komunën e Prishtinës, 56 janë romë të Kosovës, 557 janë ashkalinj të Kosovës dhe tetë janë egjiptianë.

Ndërsa, sipas një raporti të OSBE-së, të publikuar në janar të vitit 2020, shumica e pjesëtarëve të tri komuniteteve janë të papunë ose të përfshirë në sektorin ekonomik joformal dhe 30 për qind e familjeve e mbështesin veten duke mbledhur material të reciklueshëm.