SOT

Trotinete elektrike me qira brenda Parkut të Gërmisë

Gërmia me freskinë e bukuritë natyrore është vendi që më së shumti tërheq vizitorë.

Sportistë duke vrapuar, pensionistë duke ecur e çiklistë duke provuar edhe sporte ekstreme në malet e parkut më të madh.

Por si në krejt Prishtinën, tani edhe këtu shëtitja mund të bëhet me trotinet elektrik.

Madje ata mund të merren me qira nga të gjithë ata që janë 16-vjeçarë, me dokument identifikimi.

Nderim Qyqallën të gjithë e njohin për biçikletat që huazohen në fillim të parkut, afër pishinës. Tani ai mundësinë e njëjtë e ofron edhe për adhuruesit e trotineteve elektrike.

Interesimi thotë të jetë i madh, ku deri në 100 persona huazojnë një të tillë.

“Për të marrë një trotinet ose ne biçikletë së pari personi duhet të posedojë letërnjoftimin ose ndonjë dokument identifikues. Çmimi për biçikleta është 2 euro për 1 orë ndërsa për trotinet çmimi për 1 orë është 3 euro. Ditëve të fundit, interesimi është më shumë për trotinet sesa për biçikleta, duke marrë parasysh trendin global të trotineteve elektrike, por kemi edhe shumë klientë të cilët i kanë qëndruar besnikë biçikletës, kemi klientë të cilët vijnë dhe nuk dinë se kë të zgjedhin një trotinet apo një biçikletë dhe ne i preferojmë biçikletën para trotinetit. Moshat që marrin trotinetin janë nga 16-vjeçar e lart”, ka thënë Qyqalla, përfaqësues i “RentBike”.

Është e lehtë të ngasësh një trotinet elektrik, thotë ai. Madje para se të nisen drejt pjesës qendrore të parkut, klientët mësohen nga instruktorët e “Rent Bike”.

“Klientët, trotinetet elektrike i marrin 1 orë ose 2, mirëpo kemi raste të tjera që edhe më shumë. Çka duhet të kemi parasysh është se kohëzgjatja e lëvizjes me trotinete varet nga pesha e nga bateria që e ka trotineti. Fillestaret në fillim hezitojnë të provojnë ngasje me trotinet, por ne i mësojmë dhe brenda pak kohe vetëm se janë të gatshëm të lëvizim lirshëm me trotinete elektrike në parkun e Gërmisë. Rrezikshmëri mund të këtë vetëm nga pakujdesia e personit, ndërsa të tjera rreziqe nuk ka dhe deri më tani nuk kemi hasur në ndonjë aksident të çfarëdo lloji”, shtoi ai.

Komuna e Prishtinës është duke hartuar një rregullore me të cilën do të bëjë rregullimin e funksionimit të trotineteve elektrike në qytet si dhe mundësinë e bizneseve për t’i lëshuar me qira.

Nënkryetari Alban Zogaj, ka thënë se kur kjo të ndodhë, qytetarët do të mund të huazojnë një trotinet nga një pikë e qytetit deri në një pikë tjetër me çmime të lira sikurse të autobusëve.

Këtë po e sheh si mundësi zgjerimi edhe Qyqalla

“Aktivitetin tonë e kemi zhvilluar me biçikleta për 8 vjet, ndërsa ketë vit kemi filluar edhe me trotinet, duke marrë parasysh edhe interesimin e të rinjve më shumë për trotinete elektrike. Është pritur shumë mirë nga ana e qytetarëve dhe kjo na ka bërë që të rrisim edhe numrin e trotineteve elektrike. Duke pasur parasysh trafikun në qytet mendoj se biçikletat dhe trotinetet elektrike do ta lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve edhe ne si biznes jemi të interesuar të zgjerohemi dhe do të shohim në bashkëpunimin më komunën se si do të rrjedhin gjërat”, pohoi Qyqalla.

Mund të mos jenë shumë të mirë për shëndetin krahasuar me një biçikletë, por janë miqësor me natyrën, duke mos shkaktuar ndotje.