SOT

Prishtina mbushet nga Airbnb-të, si mundësi më e lirë

Mbi 300 apartamente me qira ofrohen në portalin Airbnb, në momentin që kërkojmë të gjejmë një të tillë në Prishtinë.

Të ndryshme në madhësi e interier, janë njëra prej tjetrës madje edhe në çmim.

Me emrin “The heart of Prishtina Apartment” mund të gjendet apartamenti i Elion Gërgurit. Ai thotë se hapësirën e rregulloi për nevoja personale, por pastaj e lëshoi me qira.

Brenda ka vendosur hartën e Prishtinës që tregon objektet historike e restorantet, të cilat mund të vizitohen. Ai thotë se një gjë e tillë u nevojitet turistëve.

Nga viti 2018, ata që shfrytëzuan apartamentin me pamje nga Biblioteka Kombëtare e katedralja “Nëna Terezë” ishin të shumtë. Sipas Gërgurit, Airbnb ka mundësinë që qiramarrësit të vlerësojnë me koment qëndrimin e tyre.

Me lokacion në qendër është edhe “City block apartment”. Arbnor Vitija thotë se së fundmi ka investuar e kjo gjë duket se po iu pëlqen atyre që vijnë.

Përveç turistëve të huaj të interesuar për qëndrim rreth disa javë, sipas Vitisë, janë edhe mërgimtarët.

Sipas 27-vjeçarit, marrja e një apartamenti me qira u ofron vizitorëve privatësi e rehati ndryshe nga hotelet.

Rritja e numrit të turistëve në Kosovë viteve të fundit ka bërë që të shtohet numri i hosteleve, hoteleve e banesave me qira.

Këtë verë kryeqyteti pritet të mbushet plot me turistë, të cilët do të jenë pjesë e festivalit “Manifesta”, edicioni i 14-të.

Kryetari Përparim Rama thotë se do të ketë mbingarkesë për shkak se në Prishtinë do të vijnë mbi 200 mijë turistë.

Kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti, thotë se në Kosovë vetëm në vitin që lamë pas kanë hyrë deri në 2.1 milionë turistë.

Përveç “Manifestas”, që mbahet nga 22 korriku deri më 30 tetor, në këtë periudhë Kosova mbushet edhe me mërgimtarë.