SOT

Art me figurat e dekoret e ëmbëlsirave nga Argjentina

Në kohën kur ishte në studime, Argjentina Bunjaku, vendosi të financohej vetë. E meqenëse kishte pasion kuzhinën, filloi me përgatitjen e ëmbëlsirave.

Në 5 vjet përvojë, përpos shijes unike që përmbajnë ëmbëlsirat saj, ato veçohen edhe me dekoret e figurat që vihen sipër.

Eleganca në pamje e shija në konsum bëjnë që ato të kërkohen shumë.

Meqenëse ishte shumë e re në moshë dhe si punë të parë kishte biznesin e saj, nuk mungoi as përkrahja e financimit nga organizata të ndryshme për ta kompletuar me gjithçka që i duhet.

Ëmbëlsirat janë kryesoret në menynë e saj, por pasionin në gatime e shfaq edhe me ushqime të tjera në shtëpi.

Në sezon shtohet edhe puna dhe Argjentina kujdeset që të ketë ndihmë nga vajzat të cilat i punëson.

24-vjeçarja të gjitha ëmbëlsirat që i përgatit i ekspozon në rrjete sociale nga ku edhe arrin t’i marrë të gjitha porositë.