SOT

Fermeri nga Pestova nis mbjelljen e patateve, i pret 100 tonë

Njihet si fshati që mbjell më së shumti hektarë me patate.

Shaban Kosumi është njëri ndër banorët e Pestovës që në 5 hektarë tokë mbjell e kultivon rreth 100 tonë patate të llojit “agri” çdo vit.

Janë bërë 30 vjet prej kur ai çdo pranverë nis mbjelljen.

Patatja dhe kultivimi i saj janë burim financiar për familjen e tij, e cila po ashtu kontribuon në punët pranverore.

“Kultura më e shtrenjtë është patatja. Përfitimet nuk janë edhe aq, por po duhet të merrem më këtë veprimtari. I kënaqur jam, mbijetoj nga kjo dhe të ardhurat i kemi nga kultivimi i patates”, tha ai.

63-vjeçari thotë se patatet e Pestovës njihen për cilësi në tërë Kosovën.

Ato në treg shiten nga 35 centë për kilogram kur blihen me shumicë, derisa me pakicë nga 40 centë.

“Sivjet kanë ndryshuar çmimet, jemi më mirë pak sepse nga viti 2013 çmimet për kilogram nuk kanë ndryshuar. Në vjeshtë bëhet livrimi i tokës, në pranverë mbjellët patatja më pas plehërohet dhe vazhdimisht ujitet. Deri dimrit i kemi magazinat ku i grumbullojmë patatet ku më pas i shesim, shtoi Kosumi.

Rezervat e patates vazhdojnë të shiten e të kërkohen, derisa fermeri kultivon në serrat e tij edhe tranguj, speca, lakër, domate dhe mbi 60 mijë fidanë lule të ndryshme.