SOT

KOHA Ditore, burim informate edhe në kohë lufte

Vetëm dy vjet pas daljes së parë në shtyp të gazetës KOHA Ditore, Kosova u gjend në kohë lufte.

Kjo bëri që nga Kosova të dëbohen mbi 1 milion qytetarë, drejt Bllacës së Maqedonisë.

E me zhvillimin e këtyre ngjarjeve nevoja për informim të masës u rrit edhe më. Kështu, pjesë e stafit të Kohës që ishin refugjatë në Maqedoni e vendosën vazhdimin e botimit të gazetës edhe në ato rrethana.

Nga prilli i ’99 e deri në ditët e sotme, Sami Kçiku punon me tastierën e njëjtë që e mori nga Tetova ku vazhdoi botimi i KOHËS Ditore.

“Tastierën me të cilën punoj aktualisht e kam prej vitit 99, kur kemi punuar në Tetovë. Nuk do ta ndërroj se e kam një lidhje të veçantë me të. Deri sa të punojë, do ta shfrytëzoj. Dëbimi në Tetovë ka qenë ai akti i fundit mbas krejt atyre që na kanë ndodhur, ka qenë kapitull i fundit përmbyllës. Na kanë pritur shumë mirë dhe shfrytëzoj rastin ta falënderoj gjithë popullin shqiptar të Maqedonisë që kanë ndihmuar e sidomos edhe për gazetën që na kanë ndihmuar ta rifillojmë punën atje. Për 23 vjet s’jam kthyer kurrë në Tetovë dhe pikërisht ajo ndjenja që ka qenë kapitull i fundit, më ka penguar të mos kthehem kurrë e të hap atë kapitull e t’i rikthej ato kujtime, sepse kemi pas të bëjmë me mijëra e mijëra fotografi të masakrave të krejt atyre që kanë ndodhur këtu, kështu që ka qenë e vështirë të rikthehem edhe një herë në ato ngjarje”, ka treguar Kçiku, redaktor i rrjeteve sociale në Grupin KOHA.

Për Kçikun është hera e parë pas 23 vjetësh që destinacion e ka Tetovën.

Rrugëtimi nëpër kujtimet e asaj kohe ka qenë diçka që ai nuk ka mundur ta bëjë.

25-vjetori i KOHËS Ditore u kthye në një arsye të fortë që ai ta marrë rrugën për atje.

23 vjet pas, qyteti i Tetovës ka një pamje thuajse tjetër nga atëherë.

Në mesin e shumë ndryshimeve e ndërtimeve të reja, zyra që u kthye në redaksi të gazetës kishte mbetur thuajse e njëjta.

Që puna për botimin e gazetës të fillonte, në kushte e rrethana krejtësisht të tjera ishte sfidë në vete.

Fillimisht, takimi me pjesën tjetër të stafit që po ashtu ishin refugjatë në Maqedoni, e edhe sigurimi i pajisjeve.

Në ndihmë u dolën edhe fqinjët afër zyrës.

Etem Iseni punon ende në atë ndërtesë dhe e kujton se si e përdornin të njëjtën linjë telefonike.

E gazetën e gjente çdo mëngjes te dera e zyrës së tij.

“Kur ka ardhur KOHA Ditore kemi qenë në një zyrë afër. I kam përjetuar si një moment mjaft i rëndësishëm dhe i nevojshëm për atë kohë, që opinioni, qytetarët e Kosovës të informohen drejt me atë çka ndodh në shtetin e tyre e sakrificat e atëhershme”, ka rrëfyer ai.

Përballë ndërtesës ku vazhdonte puna për botimin e gazetës është edhe restoranti ku Kçiku me kolegët zakonisht i mbanin mbledhjet dhe i merrnin bashkë vendimet.

Qëllimi kryesor ishte informimi i masës për situatën në Kosovë.

Titujt e një numri të gazetës që Kçiku e ka ruajtur, të kthejnë prapa në atë kohë të rëndë për Kosovë.

Për rreth 2 muaj në rrethana të jashtëzakonshme, KOHA Ditore u botua dhe u shpërnda falas në të gjitha kampet e refugjatëve.