SOT

41-vjeçarja me sindromën Down, shitëse e rrobave të ricikluara

Mirëmbajtja e dyqanit është puna që ajo e bën çdo ditë.

Linda Dibra është punëtorja më e dashur e stafit të YMCA SHOPS.

Një kromozom më shumë nuk e pengon aspak të punojë, e veç sa ia shton dashurinë dhe vullnetin.

Ajo tregon për detyrën që ka në dyqan dhe për produktet që shesin.

Bashkë me menaxheren Erina Arllati, ato kujdesen për kërkesat e klientëve.

Klientët shpesh konsultohen me Lindën për rrobat që dëshirojnë të blejnë në dyqan.

Pastrimi i dyqanit, vendosja e tiketave e shërbimi i konsumatorëve janë disa nga punët e punëtoreve, të cilat i bëjnë me shumë entuziazëm.

Organizata YMCA, sipas menaxheres, është e fokusuar t’u japë mundësi të rinjve, si dhe u ofron punë personave me nevoja të veçanta.

Arllati thotë se Linda në Prishtinë e Diellza në Gjakovë janë gratë e para me Sindromën Down të punësuara në dyqanet e organizatës.

Arllati flet për Lindën dhe përvojën e saj, duke thënë se ajo ka shumë dashuri për të dhënë, dhe prania e saj në staf vetëm sa ua lehtëson punën.

YMCA, sipas menaxheres, ka filluar bisedimet me organizata, biznese e kompani të tjera për të ofruar pozita të punës për personat me nevoja të veçanta.

Përveç punësimit të personave me nevoja të veçanta, YMCA përkujdeset të ofrojë trajnime për të rinjtë, e këta të fundit mund të inkuadrohen në organizatë duke i kontaktuar përmes rrjeteve sociale.

YMCA është organizatë e përkrahur nga Bashkimi Evropian, meqenëse qëllimi dhe misioni i tyre është thyerja e tabuve, socializimi i njerëzve dhe ndihma e aftësimit të të rinjve për tregun e punës.