SOT

Nga 5 në 100, çifti Maloku që zhvilloi bletarinë në Nerodime

Muajt mars dhe prill janë vendimtarë për zhvillimin e bletarisë. Fshati Nerodime në Komunën e Ferizajt ishte destinacioni i ekipit të KOHËS kësaj radhe.

Kominoshet prej pëlhurës së fortë janë veshjet që çifti Sabri e Etleva Maloku i vesh për t’u mbrojtur nga pickimi i bletëve.

Të shoqëruar çdo ditë nga mbi 100 sosh, Sabri dhe Etleva Maloku janë bashkëshortët bletarë, të cilët e zhvillojnë këtë veprimtari në fshatin Nerodime të Komunës së Ferizajt.

Muajt mars dhe prill janë vendimtarë për zhvillimin e bletarisë, sipas njohësit Nehru Salihu. Ai thotë se gjatë kësaj periudhe bletarët duhet të kujdesen që bletët të kenë ushqim të mjaftueshëm, sepse nga ajo varet edhe shumimi.

Kohët e fundit, sipas Salihut, vihet re një shtim interesimi tek të rinjtë për të mbajtur bletë e për t’u kujdesur për to.

Ani pse ka shumë bletarë, njohësi thotë se ka pak njohuri për këtë fushë. Probleme kryesore ai konsideron se janë mungesa e profesionalizmit të bletarëve dhe mungesa e kullotës për një numër kaq të madh të veprimtarëve.

Mjalti, poleni, propolisi, qumështi i bletës dhe dylli janë vetëm disa nga produktet që bleta arrin të sigurojë e të cilat sjellin të mira shëndetësore. Përfitimi është arsyeja pse kultivimi i bletëve në vend është shtuar dukshëm kohët e fundit.