SOT

Gruaja që mësoi vegun që e vogël tani u bë instruktore

Është shumë e zonja në punën e saj. Hysnije Thaçi, me prejardhje nga Deçani por e martuar në Mitrovicë, praktikimin e vegut e ka shumë për qejfi, ajo edhe në ditët e sotme nuk shkëputet dot nga kjo traditë.

Thaçi përveçse punon me këtë zanat, që e mësoi që nga mosha 7-vjeçare, është edhe instruktore e vegut.

Ajo rrëfen se punën me veg e ka traditë familjare, por që në ditët e sotme kjo zeje nuk po vazhdohet.

“Unë ketë punë e kam nis qysh e vogël nga mosha 7-vjeçare. Vijë nga një rreth që kemi punuar shumë me vek, ka qenë si traditë por edhe kemi qenë të obliguara që të merremi me ketë punë dore. Unë e kam pas qejf dhe gjithmonë kam punuar me vek. Edhe tani punoj por më pak nga se nuk ka shumë fitim, problem është shitja. Për të punuar me vek duhet të fillosh qysh e vogël që me të hi në qejf kjo punë. Kur nuk e sheh nuk ka se si të të pëlqej kjo punë dhe shumica nuk e dinë se çfarë është, me ju thënë të drejtën të interesuar janë vetëm më pa por nuk janë të interesuar për me e praktiku”.

Punimet e zonjës Hysnije promovohen dhe shiten përmes organizatës “Mundësia”, ku është edhe anëtare e saj prej vitesh

Ajo kërkon që trashëgimia e vegut të mos zhduket, por ta përcjellin brez pas brezi.

“Unë kam shkuar nëpër shkolla për t’ua mësuar nxënësve vekun, ata janë të interesuar për me pa se qysh kemi punuar me vek, shteti ose komuna kish qenë mirë me qenë më të interesuar që nëpër shkolla me e fut si lëndë ‘punë dore me vek’”.

Afërdita Tahiri nga organizata joqeveritare “Mundësia” ka thënë se gratë e Mitrovicës pa dallim komuniteti janë të angazhuara në punë.

Sipas saj, përmes projekteve të ndryshme qindra gra punësohen apo fillojnë biznesin e tyre.

“Fokusi ka qenë fuqizimi i grave të viseve rurale me nivel të ulët të edukimit, duke i shfrytëzuar shkathtësitë e tyre në punë dorë dhe të fushës së bujqësisë ose blegtorisë. Kemi pas projekte të ndryshme dhe kemi pas punësimin e përkohshëm ku brenda dy viteve kanë qenë të punësuar rreth 250 persona. Në vitin 2021 kemi përfituar prej agjencisë për barazi gjinore një projekt për më i përkrah gratë të cilat kanë biznese apo që dëshirojnë të fillojnë një biznes. Fondet kanë qenë nga fondi i rimëkëmbjes, me atë projekt i kemi përkrah 24 gra në regjion të Mitrovicës”. Ëndrra e çdo gruaje mund të bëhet realitet duke mos e ndalur asnjëherë rrugëtimin e tyre drejtë sukseseve”, thotë Tahiri.

Që nga paslufta gratë e Mitrovicës në biznes, sikurse Hysnije Thaçi, kanë realizuar me sukses qindra projekte, këto projekte janë përkrahur nga shumë donatorë të vendit dhe ndërkombëtarë përmes OJQ “Mundësia”.