SOT

71-vjeçari për më shumë se 5 dekada rrobaqepës

Njihet si njëri ndër rrobaqepësit më të vjetër në kryeqytet.

Është ky Ilmi Bislimi, i cili që në vitet ‘60 u njoftua me këtë zanat.

Rrethanat e asaj kohe bënë që Bislimi të fokusohej në profesionin e rrobaqepësit, e dashuria për të iu shtua përherë e më shumë.

Me kalimin e viteve, ai migroi në Gjermani, për t’u kthyer sërish, por asnjëherë nuk u nda nga gjilpëra.

Edhe tash, pas më shumë se 50 vjetëve përvojë, ai tregon se çdo mëngjes me vrap niset drejt dyqanit, që sa më parë ta fillojë punën.

Për ta përvetësuar këtë zanat nuk ishte aspak e lehtë, tregon 71-vjeçari.

Marrë parasysh edhe periudhën kohore kur ai vendosi që ta zgjedhë një drejtim.

Secilën gjë që e ka mësuar atëherë, sa i përket rrobaqepësisë, e praktikon edhe tash, 5 dekada më vonë.

Pasioni i tij për profesionin është pasqyruar edhe te fëmijët. Kjo e bën të ndihet krenar Edhe në këtë moshë punon pa ndalur.

Nga e hëna deri të shtunën, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, Bislimi është duke qepur rroba e duke bërë riparime.

Kënaqësia që shprehin klientët me punën e tij e bën të lumtur rrobaqepësin nga kryeqendra.

Dyqani tash e mban emrin e mbesës së tij “Alisa” dhe ndodhet në lagjen “Dodona”.

Para viteve ‘90 mbante emrin “Moda”.