SOT

Diaspora feston në Kosovë

Milaim e Mentor Gocaj së bashku me familjet e tyre janë bërë bashkë në Kosovë për festat e fundvitit.

Ata kanë bërë rrugë të gjatë nga Gjermania, por thonë se ia vlen çdoherë kur ia mësyjnë Kosovës. Sipas vëllezërve, në vendet perëndimore, larg vendlindjes, nuk festohet si në Kosovë.

Festat nuk do të kishin kuptim nëse nuk janë të bashkuar me familjarët në Ferizaj.

Milaim Gocaj thekson se as pandemia Covid-19 nuk i ka penguar në rrugëtimin e tyre drejt vendlindjes.

Për bashkëshortet e tyre festat në atdhe janë më të veçanta, që mbesin gjatë në memorie.

Pas mikpritjes në gjirin familjar, dy vëllezërit nga Ferizaj e të cilët jetojnë prej vitesh në mërgim na treguan se është edhe diçka tjetër që i lidh me Kosovën.

Me të ardhur në Kosovë vëllezërit dalin për kafe me familjarë dhe shoqëri.

“Nuk ka më e mirë se kafeja në Kosovë”, thotë Milaim Gocaj.

Familja 9-anëtarëshe uron vitin 2022, me shpresë që të mbizotëroj harmonia, dashuria dhe gëzimi në çdo familje.

Sheshet e shumicës së komunave në vend janë stolisur me rastin e Vitit të Ri, këtë vit dukshëm vërehet numri më i madh i bashkatdhetarëve, të cilët kanë ardhur për festat e fundvitit.