SOT

Kujdesi për kosheret me bletë në dimër

Fehmi Janova i ka bërë gati bletët për dimër. Ai beson se u ka siguruar ushqim të mjaftueshëm atyre, prej të cilave jeton tash e 6 vjet.

62-vjeçari 6 vjet më parë e ka lënë Italinë për t’u kthyer në vendlindje e që më pas u bë një ndër bletarët më në zë të Drenasit dhe që nga ajo kohë njihet për mjaltin e 53 koshereve me bletët që ka.

Thotë se mjaltë të ndryshme ofron ai për klientët e tij.

Janova kujton kosheren e parë që bleu me bletë, të cilën e emëroi me emrin e mbesës së tij, Sara.

“Më lindi një mbesë me emrin Sara dhe shkova tek një shok në Komoran e bleva një bletë sa për me ushqy Sarën e vogël më mjaltë. Ngadalë kaluan 6 vjet e gjysmë dhe tani kam 53 koshere bletësh. Për momentin janë mirë”, thotë Janova.

Ai ka treguar edhe për kujdesin ndaj bletëve në mot të ftohtë e me borë.

“Gjatë dimrit në qoftë se bletët i lëmë, nuk kujdesohemi me i dimnue në mënyrën më të mirë, në pranverë nuk mund të kemi rezultate dhe bleta mund të vdesë. Ndonëse nuk e ka ushqimin e vet, duhet me ushqye patjetër me sherbet, edhe mënyra e të ushqyerit e ka kohën e caktuar. Unë personalisht nuk e vjeli katin e parë të bletës, të dytin edhe të tretin, edhe nëse ka mbet sherbet i dimrit që është ushqye bleta gjatë dimrit brenda aty, ajo mbetet aty. Kati i parë mbetet i paprekur. Dimrit duhet me ju largu dy rama bletës nga 10 të cilat i ka, duhet mu mbështjell më letër për me e thith lagështinë. Sepse nga koha jashtë e ftohtë dhe brenda ngrohtë formohet lagështia dhe më së shumti e dëmton bletën lagështia”, shtoi ai.

Ai thotë se tregu kërkon më shumë mjaltë të lëngët sesa të kristalizuar.

“Për me bë këtë intervenim mu ka dashtë me rregullua këtë sanak në mënyrë të thjeshtë me anë të stiroporit me një llambë brenda që nuk ka dritë të madhe dhe me një termostat që ka temperaturë të përshtatshme për mjaltë”.

Bletari Fehmi Janova thotë se kujdesi ndaj bletës ka rol në kualitetin e mjaltit.

“Unë dy herë kom nxjerr mjaltë në korrik dhe gusht. Mjalti ma kualitet na ka dalë mjalti i gushtit, për shkak se bleta është ushqyer vetëm në pyll. Mjalti nxirret zakonisht në qershor edhe në gusht, por duke mendu që do të nxjerrim mjaltë vetëm një herë dhe e preferuam më nxjerr vetëm në korrik. Në gusht vetëm nisi koha më i dimnu dhe e pamë që bleta më kualitet e ka mjaltin e gushtin sesa në muajt e tjerë. Sepse ka qenë ushqimi, sepse bleta edhe punon, edhe ushqehet. Nuk mundemi të jetojmë pa bletët, ato jetojnë me ne dhe ne jetojmë me ato”, pohoi ai.

Bletari nga fshati Sankoc i Drenasit është shembull i një atdhetari punëtor, derisa thotë se me punë arrihet çdo gjë.