SOT

Deri në 1.000 euro kostoja e shkurorëzimit

Një çifti kosovar i kushton 400 deri në 1 mijë euro procedura e shkurorëzimit, numri i të cilëve brenda vitit arrin në afro 1.600 raste.

Sipas avokatëve dhe ekspertëve, kostoja e trajtimit të këtyre çështjeve dhe ndarjes së pasurisë së përbashkët është mjaft e lartë në krahasim me të ardhurat.

Njohësit e këtyre çështjeve thonë se ekziston mundësia e lirimit të kësaj kostoje përmes agjencisë për punë juridike falas. Por se këtë të drejtë mund ta shfrytëzojnë vetëm rastet sociale.

Avokatja Marigona Gashi ka theksuar se paditësi detyrohet të paguajë të gjitha shpenzimet e procedurave gjyqësore për shkurorëzim.

“Sipas tarifës së Odës padia kushton minimum 104 euro, pastaj seancat gjyqësore me çmim prej 135.20 eurosh, e cila varësisht nga procedura apo rasti mund të jetë në 3 apo 4 seanca, si dhe taksa gjyqësore e cila duhet të paguhet prej shumës 50 euro. Zakonisht kur shkohet me padi këto shpenzime i paguan paditësi, ndërsa kur shkohet me propozim shpenzimet janë të përbashkëta”, ka deklaruar Marigona Gashi, avokate.

Gashi shpjegon edhe procedurat e tjera se si mund të lirohet nga pagesa kur çifti është i varfër ekonomikisht.

“Në rast të kushteve të rënda ekonomike ata mund ta bëjnë kërkesë në agresionin për punë juridike falas dhe e vlerësojnë, ata duhet të ofrojnë dëshmi të mjaftueshme se nuk kanë kushte të mjaftueshme financiare të fillojnë procedurën e shkurorëzimit. Ndërsa me vlerësimin e asgjësinë për punë juridike falas, ata ia paguajnë të gjitha shpenzimet e përfaqësimit, padisë dhe shkresave të tjera”, ka shtuar ajo.

i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vehbi Mujku, tregon se numri i familjeve që paraqiten te kjo qendër është mjaft i madh.

“Gjatë 1 viti ne realizojmë rreth 1300 kontaktime të tilla vetëm për punë sociale në Prishtinë, që është një shifër shumë alarmante për gjithë shoqërinë se janë 1300 raste të cilat realizojnë kontaktim. Mund të marrim me mend sa raste të tilla nuk vijnë fare tek ne dhe nuk e kanë obligim që të bëjnë kontaktimin drejtpërdrejt përmes qendrës për punë sociale, por e bëjnë drejtpërdrejt familja me familjen”, ka thënë Mujku.

Mujku thekson se kostoja e shkurorëzimit po ashtu është mjaft e lartë për nënat vetushqyese.

“Shumicën e rasteve vendosin me shku përmes avokatëve apo edhe forma të tjera të cilat janë të kushtueshme, sepse shërbimi i avokatisë tek rastet e ndarjes është relativisht i shtrenjtë dhe ne ju sugjerojmë zakonisht këtyre nënave duke pasur parasysh që kem agjenci për ndihmë juridike falas dhe agjenci të tjera që kryejnë shërbime falas dhe ne ju sugjerojmë që të shkojnë përmes këtyre instancave sepse në fund të ditës sado që mendon dikush se sado që të paguajë avokatin më shtrenjtë përfitojnë më shumë, nuk është e vërtetë pasi që gjykata e merr një vendim të drejtë karshi nënave dhe vendimin tonë”, ka thënë ai.

Nga 100 euro deri në 1 mijë është alimentacioni për nënat vetushqyese, thotë Mujku.

Sipas tij, varësisht prej të hyrave se çfarë i ka prindi tjetër, ashtu edhe gjykata e ndal alimentacion.

“Alimentacioni është në forma të ndryshme, sillet prej 100-150, 200 po ka raste kur është 500 dhe 1 mijë”, tha ai.

Avokati Sylejman Klinaku shpjegon se kostoja e shkurorëzimit është nga 400 deri në 1 mijë euro.

“Minimalisht janë 400 euro e lart, varësisht si rrjedhin procedurat, se ka raste edhe kur procedurat gjyqësore edhe për zgjedhjen e martesës ku nuk ka marrëveshje edhe për ndarjen e pasurisë zgjasin disa seanca, të determinojnë në rritjen e shpenzimeve të kostos së zgjidhjes së martesës. Kur çifti faktikisht e ka gjendjen ekonomike të dobët orientohen tek qendra juridike falas dhe ata e përfaqësojnë, nuk ka nevojë të paguajnë. Qendra juridike falas i ka disa kushte për me marrë përfaqësimin e palëve”, është shprehur Klinaku.

Në vitin 2020, brenda e jashtë territorit u regjistruan 14 mijë e 738 kurorëzime, ndërsa 1 614 raste të shkurorëzimeve. Bazuar në të dhënat e fundit, vetëm në muajin gusht të vitit 2021 janë regjistruar 128 raste të çifteve të shkurorëzuara.