SOT

Shqipëri-Kosovë, turizmi malor i mikpritjes

Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të vogla, të cilat po ofrojnë një potencial të madh turistik dhe kulturor, ku tradita dhe mikpritja nuk kanë të krahasuar.

Shqipëria njihet me bukuritë e saja bregdetare, kurse Kosova si veçanti ka turizmin malor.

Mbi dy milionë kosovarë gjatë vitit kanë vizituar Shqipërinë, ndërsa Kosova ka pritur mijëra vizitorë në Bjeshkët e Nemuna, Malet e Sharrit, në Mirushë, Drini i Bardhë, në Shpellën e Gadimes, në Prizren, Pejë, Gjakovë, tek Ura pa lumë në Vushtrri dhe në rajone të tjera.

Në veçanti turizmi malor në rajonin e Bjeshkëve të Rugovës është atraksion për turistët.

Këto male shtrihen në veriperëndim të qytetit të Pejës, me një sipërfaqe prej 32.492 hektarësh. Bukurinë këtij rajoni ia shton Gryka e Rugovës, e cila fillon 2 kilometra nga qendra e qytetit, e që ndahet në dy pjesë nga lumi Lumëbardhi. Veçmas bukurisë natyrore, ky vend turistik ofron edhe shërbime dhe aktivitete të shumta sportive.

Këto male kanë gjithë kapacitetin për të zhvilluar turizmin malor në mënyrën më të mirë. Ofrojnë një pamje mahnitëse të bjeshkëve, ajër të pastër, florë dhe faunë të llojllojshme, liqene të vogla të mrekullueshme, zona gjuetie, shtigje për ecje dhe restorante me ushqime qoftë vendore apo meny internacionale.

Njohësi i turizmit malor, Fatos Katallozi, numëron bukuritë natyrore të Rugovës të cilat mund të vizitohen nga turistët. Sipas tij, turistët nga kryeqyteti i Shqipërisë dominojnë në këto anë.

Të parezistueshme këto bjeshkë bëhen kryesisht gjatë dimrit, thotë Katallozi.

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, tregon se çka preferojnë kosovarët në Shqipëri.

“Është shumë më i madh numri i vizitorëve nga Kosova që vijnë në Shqipëri. Shtator 2020 – shtator 2021 burimet zyrtare të Tiranës kanë evidentuar 2.475.103 hyrje nga Kosova në Shqipëri. Bregdeti kuptueshëm është pika më tërheqëse, sidomos gjatë verës. Turizmi bregdetar, Adriatiku e Joni, bëjnë që më shumë turistë të vijnë në Shqipëri. Por ka edhe pika të tjera atraktive për vizita ditore, si Valbona, Shkodra, Berati etj. Ka filluar të rritet edhe numri i turistëve nga Shqipëria për në Kosovë. Kryesisht turizmi malor-dimëror. Kosova ka qendra skijimi që po vizitohen gjithnjë më shumë me turistë nga Shqipëria. Lidhja me rrugë moderne është ajo që lehtëson dhe ndikon për vizita në të dyja drejtimet. Madje edhe vizita ditore janë bërë dukuri, sepse Rruga e Kombit ofron këtë mundësi. Nëse do të shtohet edhe hekurudha siç ka filluar të flitet, do të jetë edhe një mundësi tjetër më shumë për udhëtarë e për mallra. Ka përfitime në çdo aspekt, por ekonomikisht dallimet janë shumë të mëdha. Sidoqoftë, ka përfitime edhe Kosova sepse çdo turist, çdo grup vizitorësh, ka njëfarë efekti ekonomik. Besoj se kur udhëtohet për turizëm, për qejf, për fundjavë etj., nëpër restorantet, hotelet e Kosovës disi lëshohet dora, shpenzohet më shumë. Por ka dhe përfitime jashtë ekonomisë, siç është njohja me bukuritë gjeografike, forcimi i miqësive krijimi i lidhjeve te reja”, tha Durmishi.

Kurse ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, deklaron se bashkëpunimi reciprok mes dy shteteve ka rritur numrin e vizitorëve.

Ylber Rudi, bashkëpunëtor i kompleksit “Rudi” në Rugovë, thotë se vizitorët nga Shqipëria së fundi kanë shprehur interesim të mësojnë skijimin. Përveç bukurive të bjeshkëve, ata vlerësojnë edhe ushqimet tradicionale.

Shëtitjet jashtë një rutine ditore, gjithnjë janë të veçanta dhe sjellin kënaqësi në shumë aspekte. Përveçse shkëputemi nga normaliteti dhe sfidat e përditshmërisë në punë, mund të provojmë edhe gjëra të reja, si ushqimi, njohja e kulturës së zonës dhe aktivitete që kanë ndikim pozitiv në psikologjinë tonë.

Andaj turizmi po të mirëmbahet ka një impakt të madh në zhvillimin ekonomik të një vendi.

Sado që është bërë punë, në të dyja anët e kufirit konsiderohet se ka shumë më tepër mundësi për ta zhvilluar këtë fushë.