SOT

Pensionistja 70-vjeçare vazhdon punën me fëmijë

Thonë se kur e do atë që e bën, nuk të bie të punosh asnjë ditë në jetën tënde.

E kështu ndihet Ajete Prokshi-Dërguti, pavarësisht që ka mbi 40 vjet në arsim.

Profesoresha e edukatës fizike, menjëherë pas shkollimit hyri në punë dhe u bë njëra nga femrat e para të Drenicës që ushtronte këtë profesion. E në vitin 1984 u bë pjesë e stafit të shkollës fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë, aty ku e priti edhe ditëlindjen e 65-të.

Por, pensionimi nuk duket ta ketë ndalur Ajeten. Ajo ka një kohë të gjatë që energjinë e dijen për ushtrimet fizike po i ndan me të vegjlit e kopshtit “Hareja”.

E kur edukatorja Ajete ka ditën e punës në këtë kopsht, gëzimi i fëmijëve vërehet në sy.

Ushtrimet që kryesisht i realizojnë konsistojnë me lëvizje të trupit, vrapime, ulje e lojëra që ndihmojnë në zhvillimin e motorikës.

Pjesë e asaj dite janë edhe kënga e recitimi i vjershave

Ndonëse ka një përvojë të gjatë në këtë fushë, Ajetja shton se çdo herë vepron në konsultim me edukatoret e tjera. Në të njëjtën kohë edhe drejtoresha e prindërit po e vërejnë ndikimin e Ajetes në energjinë e fëmijëve.

70-vjeçarja shpreh dëshirën për të vazhduar edhe disa vjet me këtë profesion, duke thënë se ndihet shumë e re kur është në mesin e fëmijëve.