SOT

Fermeri nga Dabishevci kultivon dredhëza kur jashtë bie borë

Fjollat e para të borës kanë filluar të bien. 

E edhe temperaturat ishin mjaft të ulëta në fshatin Dabishevc, aty ku ishim vizitorë kësaj radhe.

Pavarësisht kësaj dredhëzat janë duke u kultivuar në serën e Arbnor Hasimit.

Ai thotë se interesimi i madh për të kultivuar mjedrën nga fermerët kosovarë ka bërë që ai të marrë një kah më ndryshe, pra të investojë në dredhëza.

Plehu organik që është përdorur në këtë frutë, sipas fermerit, duhet të jetë arsyeja pse moti i ftohtë e bora nuk kanë ndikuar në to.

Hasimi thotë se ky lloj i plehut përdoret sepse në fermën e tij synohet që produktet të jenë bio.

Ky vit ishte i mbarë, sipas fermerit, sa i përket kushteve klimatike.
Si rrjedhojë edhe rendimentet kanë qenë të kënaqshme.

Hasimi thotë se përdorimin e dredhëzave e shtrijnë që nga nevojat familjare e më tej edhe në shitje në treg.

Në planet e tij është edhe zgjerimi i punës, sepse fermeri thotë se do ta kishte më të lehtë të kultivonte edhe kultura të tjera nëse nuk do të kishte mungesë të fuqisë punëtore.

Në mungesë të punëtorëve, punët i kryen vetë.

Fermeri thotë se është e lodhshme, mirëpo punët e fshatit i sjellin kënaqësi, prandaj nuk përton.

Përveç bujk, Hasimi është edhe kimist e fizikan, pra merret me shkencat ekzakte.

Ai hoqi dorë nga mësimdhënia e u kthye në fshat për të vazhduar punët aty.

Fermeri konsideron se bujqësia është fusha që do të ndikonte më së shumti në zhvillimin ekonomik në Kosovë, andaj edhe shteti duhet ta ketë parasysh investimin që duhet të bëjë e mbështetjen që duhet t’ua ofrojë bujqve.