SOT

200 koshere bletësh e 600 drunj arre në Gjinoc të Suharekës

Në fshatin Gjinoc të Komunës së Suharekës, Enver Zeqiraj për afër 20 vjet merret me bletari.

Këtë veprimtari Zeqiraj e ka filluar në vitin 2002, kur u kthye nga mërgimi për të punuar në vend.

E tëra filloi me një bletë, kurse tash ai i ka më shumë se 200 koshere.

Është një punë që e bën me dëshirën më të madhe.

Kjo, tregon ai, është për arsyen se gjithë çfarë ka arritur është falë bletëve.

Viteve të kaluara, sasia e mjaltit që Zeqiraj ka marrë nga bletët ka qenë e kënaqshme.

E ka tash e dy vjet, qëkur sasia ka filluar të bjerë.

Ai thotë që për shkak të ndryshimeve klimatike dhe mungesës së florës në atë zonë.

Shtëpinë e ka në anën tjetër të fshatit e në hapësirën ku ndodhen kosheret me bletë i ka edhe rreth 600 dru të arrës.

Edhe këta i ka falë bletëve tregon ai. Tash në atë pjesë e ka ndërtuar një pushimore ku e kalon pjesën më të madhe të ditës.

Mbështetjen dhe ndihmën më të madhe, thotë se e ka nga familja e sidomos nga bashkëshortja e tij.

Bletaria e bujqësia është një punë që dëshiron ta trashëgojë edhe te djemtë e tij.