SOT

Vendi që u ofron të rinjve certifikimin në punë profesionale

Storia e radhës na dërgon në Qendrën për Aftësim Profesional në Ferizaj, ku të rinjtë e kësaj komune dhe përreth po e shohin si mundësi në mënyrë që të certifikohen në profesione të ndryshme, e më pas edhe po hapin biznese personale nga përvoja e fituar.

Kjo është Qendra e Aftësimit Profesional në Ferizaj, një nga vendet që shumë të rinj po e shohin si mundësinë më të mirë për të marrë një certifikatë dhe po ashtu edhe përvojë profesionale në një nga profilet e shumta të ofruara.

Një prej profileve është ajo për instalime elektrike, në të cilën tash e 3 muaj kandidat është edhe Zymer Stublla, i cili ka një shkollim të lartë, që megjithatë nuk i mjaftoi.

32-vjeçari veçse e ka perfeksionuar punën në instalime elektrike, e madje te shtëpitë e familjarëve të tij e ka kryer këtë shërbim.

E zyrtari i trajnimit për instalimin elektrik, Imer Hajrizi, thotë se pjesë e këtij trajnimi mund të bëhen edhe ata të cilët fare nuk kanë njohuri për këtë fushë.

Pos banorëve të Komunës së Ferizajt, trajnimin mund ta ndjekin edhe të interesuarit nga komunat përreth.

Ai thotë se tashmë janë bërë rreth 20 vjet qëkurse është duke funksionuar kjo qendër, e madje disa nga kandidatët që u trajnuan këtu kanë tani edhe kompanitë e tyre biznesore.

E Naim Gashi, i cili është udhëheqës i Zyrës për punësim në Ferizaj, thotë se në këtë komunë papunësia nuk është edhe aq e dukshme.

Sipas tij, shumë kompani ofrojnë vende të lira pune, por që të punësuarit nuk mjaftohen me pagën që u ofrohet.

E procedura që duhet ndjekur për të qenë pjesë e trajnimit në ndonjë fushë e më pas edhe të arrihet punësimi, është shumë e lehtë.

Ndër punëkërkuesit ka edhe prej atyre që aktualisht marrin ndihma sociale.

Qendra për Aftësim Profesional aktualisht ofron trajnimet në teknologji, administrim biznesi, instalime elektrike, zdrukthëtari, saldim, hotelieri, kuzhinieri, ngrohje qendrore, e shumë profile të tjera. Që të gjitha këto trajnime ofrohen falas.