SOT

Pishinat gati për t’u hapur në qershor

Parku i Gërmisë vazhdon të jetë burim oksigjeni për Prishtinën, e në muajt e verës është edhe vend freskimi për shumë qytetarë.

Krahas ngjyrës së gjelbër dominuese në këtë hapësirë, është edhe kaltërsia e pishinës ajo që i tërheq më shumë vizitorët.

Pishina tashmë gati është mbushur dhe punëtorët kanë filluar përgatitjet për hapjen që pritet të bëhet më 12 qershor.

Për dallim nga viti i kaluar, ku pengesë në përjetimin e kësaj kënaqësie u bë pandemia, e cila pezulloi punën e pishinave me qëllim mbrojtjen nga COVID-19, ardhja e vaksinës ka rritur shpresat për funksionim normal në këtë sezon.

Sipas Liridon Llapashticës, kryeshef i Ndërmarrjes “Sport Marketing”, e cila menaxhon pishinën publike të Gërmisë, pishina pritet të fillojë punën në Ditën e Çlirimit të Prishtinës siç edhe dihet tradicionalisht.

Sipas Llapashticës, viti pandemik ka shkaktuar dëme me dhjetëra mijëra euro duke ndikuar në bilancin financiar. Për këtë, Kuvendi Komunal i Prishtinës në një mbledhje të mbajtur të hënën ka ndarë për këtë ndërmarrje 10 mijë euro subvencion.

E në pishinat private, pronarët ende janë në pritje të një vendimi të qeverisë, në mënyrë që të fillojnë me përgatitjet. Pronari i pishinës “Freskia”, Naim Krasniqi, shpreson që Qeveria e re do të marrë vendime në të mirë të bizneseve.

E, që qytetarët të kenë mundësi të shijojnë sezonin e verës pa u rrezikuar nga virusi, Krasniqi thotë se do të merren masa.

Ndërkaq, qytetarët thonë se janë pro hapjes së pishinave, mirëpo vaksinimi është e vetmja zgjidhje dhe më e sigurta masë që duhet ndërmarrë për të shmangur infektimin.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, përveç që do të tregojë për sigurinë e hapjes së pishinave, do të monitorojë edhe cilësinë e ujit të pishinave siç bën zakonisht.