SOT

Procesi i vaksinimit në Kosovë dhe simptomat

Që nga hyrja e deri në fund të hapësirës së Sallës “1 Tetori” janë të vendosur personeli shëndetësor e persona për përcjelljen e procedurës së regjistrimit për kryerjen e vaksinimit, proces që në Kosovë nisi në muajin mars.

Përveç personave mbi 80-vjeç, tashmë janë duke u vaksinuar edhe të moshuarit e moshës 75-79 vjeç.

A ke sëmundje kronike? Trombozë apo ndonjë problem shëndetësor që duhet përmendur, janë pyetjet që personi i bën secilit person që pret për t’u vaksinuar.

Paraprakisht shumica nga ta kanë aplikuar për vaksinim në portalin shtetëror ekosova.

Koordinatori i Sallës “1 Tetori” në Prishtinë thekson se kanë qenë strikt në kontrollet që u janë bërë të moshuarve për të kuptuar në rast se kishte pak kohë prejse e kanë kaluar virusin COVID-19 apo në rast se vuajnë nga ndonjë sëmundje që do t’ua pamundësonte marrjen e vaksinës.

Proces i mbarë që nga nisja e deri në ditët që po vazhdon, përshkruhet nga Bardhi.

Deri më tash, Bardhi njofton se në nivel vendi shifra e të vaksinuarve ka shkuar në 21 mijë.

Qytetarët në moshë që prisnin radhën për t’u vaksinuar, në të shumtën e rasteve kanë nga një familjar shoqërues, derisa është personeli shëndetësor ai që e përcjell hap pas hapi procesin e vaksinimit e gjendjen pas tij.

Edhe pas marrjes së vaksinës ata duhet të qëndrojnë në sallë edhe për disa minuta për të parë efektet e mundshme anësore.

Zakonisht të vaksinuarit në Kosovë kanë pasur efekte sikurse lodhje e temperaturë ndërsa nuk janë raportuar mpiksje të gjakut që mund të jetë simptomë tjetër e vaksinës Astrazeneca.