SOT

“Monopoly” vjen në shqip nga Altin Gojani

“MONOPOLY’’ është një lojë që botërisht shquhet për faktin se mbledh para tavolinës shoqëri që pëlqejnë të sfidohen mes vete. Kjo lojë e famshme ka kohë që luhet edhe në Kosovë, vetëm se prej tash e njëjta mund të luhet edhe në shqip. Për detajet, ju ftojmë ta ndiqni materialin në vazhdim.

Jeta në kohë pandemie sigurisht se nuk ka qenë e lehtë për asnjë qytetar të vendit. Përpos rrezikut konstant nga infektimi, situatën ende më të vështirë e ka bërë periudha e izolimit.

Megjithatë, krejt këtë situatë në favorin e vet e ka shfrytëzuar Altin Gojani, arkitekti 26-vjeçar nga Komuna e Gjakovës.

Një vit më parë ai nisi hapat e parë të asaj që u mendua të jetë vetëm lojë mes shoqërisë së ngushtë.

Gojani ka sjellë në treg versionin e shqipëruar të lojës së njohur botërore ‘’MONOPOLY’’, të krijuar nga vetë ai.

Nga Prishtina në Drenicë, tabela e lojës përfshin 7 qytete e lagje të njohura nga i gjithë vendi, bashkë edhe me 4 pikat tona kufitare.

Natyrisht, si e tillë, loja nuk mund të luhet pa valutat që e karakterizojnë atë, të cilat po ashtu janë kthyer në shqip.

E luajtur zakonisht nga të rinjtë, ka qenë pikërisht versioni kosovar i “Monopolit’’ që ka afruar persona të të gjitha moshave para tabelës.

“Monopoly’’ ka qenë loja më e luajtur tash e sa kohë në “Mana Boards Game Bar’’, derisa versioni i saj në shqip, sipas Ermir Suldashit, vetëm sa rrit interesimin për lojën.

Kultura e lojërave të tavolinës është diçka që Suldashi thotë se kanë provuar ta sjellin në Kosovë përmes MANA-s, duke shtuar që shpreson ta arrijnë këtë qëllim, edhe pse kohët e fundit kanë qenë tejet testuese.

Monopoli kosovar mund të blihet vetëm online, ndërsa çmimi i tij në treg është 24 euro.