SOT

I riu që mblodhi mbi 2000 video nga masakrat në Kosovë

Ishte vetëm 12 vjeç në periudhën e luftës. Ky është Esat Shala nga Krajkova e Drenasit.

Që nga paslufta e deri më sot, ai ka koleksionuar mbi 2000 video të thuajse të gjitha masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Të shoqëruara me pamje të rënda, pjesa më e madhe e video-kasetave të arkivuara nga i riu janë të pa publikuara.

Ishin rrjetet sociale ato ku ai kishte parë copëza videosh nga lufta në Kosovë, të cilat e nxitën t’i hynte hulumtimit për videot që i posedon tash.

“Ngjarjet e luftës i kam hulumtuar në Youtube, rrjete sociale, ku kam parë incizime të asaj kohe dhe kam filluar të kërkoj diçka më shumë. Pata filluar në krejt territorin e Kosovës ku edhe i kam mbledhur kaseta të çdo masakre të ndodhur në Kosovë”, thotë i riu Esat Shala.

Nga kjo punë që bën thotë se asnjëherë nuk ka përfituar materialisht, porse në mënyrë vullnetare do t’i pasqyrojë torturat e popullit, të përjetuara në periudhën e luftës.

“Nuk kam dashur të përfitoj, por ta pasqyroj realitetin që ka ndodhur në Kosovë, sepse pas përfundimit të luftës serbët kanë menduar se ne nuk posedojmë asnjë incizim, asnjë fakt nga lufta, por në Kosovë janë bërë incizime të rëndësishme të cilat është dashur të publikohen pas përfundimit të luftës e jo të mbahen në heshtje”, ka shtuar ai.

Se kjo punë në vete bart edhe rrezik e kishte pasur parasysh që nga fillimi, por atë e vazhdoi.

Madje, Shala përmend se i ka të shpeshta rastet kur pranon kërcënime.

“Kërcënime kam pasur nga shteti serb, jo drejtpërdrejtë, por vetëm nga rrjetet sociale. Po ashtu ka edhe nga vetë ata që i kanë bërë këto incizime që nuk më lejojnë t’i nxjerr ato. Ka edhe prej tyre që thonë se duan të më hedhin në gjyq gjoja se po i nxjerr incizimet e tyre. Po ku ishin ata që 20 vjet që nuk nxorën asgjë?”

Mbështetje e as mbrojtje nga institucionet thotë të mos ketë pasur, ani pse ishte vizituar disa herë.

“Unë jam duke luftuar deri në gjetjen e kasetës së fundit të masakrave në Kosovë edhe pse është punë me rrezik. Nuk kam kurrfarë mbrojtje e as nuk kam pasur edhe pse jam vizituar nga Policia e shtetit, AKI-ja, por ata njerëz vetëm kanë ardhur ta shohin se çka posedoj e jo për të marrë incizime për t’i publikuar”, shprehet ai.

Edhe pse vetëm 12 vjeç, Esat Shala e ka të freskët çdo moment nga ajo periudhë.

“Neve forcat serbe na kanë kapur në këtë vend (në afërsi të Bjeshkëve të Kozmaqit). Kemi qenë mbi 300 civil në krejt këtë fshat e që në mesin e tyre ka të tillë që nuk dihet ende për fatin e tyre”, ka thënë Shala.

I riu nga Krajkova e Drenasit thotë të ketë bërë shpesh mbi 20 kilometra rrugë në këmbë për të siguruar video të masakrave të ndodhura në zona të ndryshme të Kosovës.