SOT

Kamenica synon të bëhet qytet piktoresk

I njohur prej moti si qytet i gjelbër, Kamenica viteve të fundit ka kthyer sytë kah një tjetër qëllim.

Me angazhimin e të rinjve vendas, ky qytet, përpos gjelbërimit ka nisur të marrë ngjyra edhe në objektet e vjetra të banimit.

Natyrë Kallaba nga Drejtoria e Kulturës në Kamenicë, tregon se përmes muraleve, komuna po provon të vë në pah talentin e artistëve vendas dhe vullnetin e tyre për të mirën kolektive.

Vizatimet e veçanta mbi mure e ngjyrat e përdorura janë detajet e thjeshta që simbolizojnë trasenë e rinisë së qytetit mes të kaluarës dhe të ardhmes që i pret.

E, së fundmi, Kamenicës iu shtuan edhe dy murale të tjera.

“’POOL” dhe “YOUNG ROOTS” janë dy punimet e artistëve spanjollë Pablo Astrain dhe Jabi Corte, që në sfond kanë diversitetin kulturor të Kosovës dhe atë që mund të arrihet nëpërmjet bashkëpunimit.

Njëri mur paraqet llojshmërinë e rinisë së vendit, ku njerëz të ndryshëm, si për nga ngjyra e lëkurës, prejardhja apo religjioni, vijnë nga rrënjë të njëjta dhe gjithçka që ata bëjnë, kontribuon në rritjen e pemës së jetës.

Ndërsa, punimi tjetër shpjegon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet njëri-tjetrit dhe se e vetmja mundësi që një vend i ri si Kosova të shënojë progres është që të gjithë së bashku të lëvizin në drejtimin e njëjtë.

Projekti i muraleve ndryshe është quajtur edhe si ‘’Projekti i ndërtimit të besimit’’ derisa është financuar nga UNMIK-u dhe realizuar nga të rinjtë e Kamenicës dhe “Muralfest”.