SOT

Ushtari kosovar i dalluar në xhudo

Është vetëm 21 vjeç dhe vjen nga qyteti i vjetër i Mitrovicës.

Fisnik Hyseni është njëri prej shumë të rinjve të qytetit që ka zgjedhur të veshë uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përpos shërbimit në kazermën ‘’Minatorët’’ në Mitrovicë, Hyseni është edhe xhudist shumë i suksesshëm.

Arsyeja pse ka zgjedhur t’i bëjë bashkë këto dy profesione, sipas tij, është shumë e veçantë.

“Zakonisht zgjohem herët në mëngjes. Bëhem gati për punë, në orën tetë ia fillojmë punës. Përpos inspektimit dhe ngritjes së flamurit që është rutinë ditore pjesën tjetër të ditës e kalojmë duke u marrë me aktivitete të ndryshme të cilat i kemi të gjitha me plan program. Njëra ndër to është edhe fitnesi fizik që më ndihmon shumë edhe për sportin që unë praktikoj. Mbas orës 16:00 pra, pas përfundimit të punës, në orën 17:30 filloj stërvitjen në xhudo deri në 19:30. Menaxhimi i kohës është karakteristikë e një ushtaraku, nuk është e lehtë me qenë edhe në punë edhe në sport por vullneti për t’i shërbyer atdheut dhe pasioni që kam për sportin më bëjnë që të vazhdoj tutje dhe të mos ndalem asnjëherë. Janë pak a shumë të dyja të përbashkëta në këtë pikë”, tha Fisnik Hyseni, ushtar i FSK-s.

Derisa një gjysmë të ditës e kalon me angazhimet që kërkohen në kazermë gjatë pjesës tjetër, ai u përkushtohet xhudos dhe stërvitjeve.

Rruga e tij në këtë sport nisi si rrjedhojë e shpirtit luftarak që e ka karakterizuar që nga fëmijëria, tipar ky që më vonë u bë edhe aseti kryesor i tij mes luftës në “tatami’’ e jetës në ushtri.

“Me xhudon kam filluar në moshën 9 vjeçare duke e parë vetën si karakter më luftarak gjithmonë më kanë pëlqyer më shumë sportet luftarake. Iniciator që unë të merrem me këtë sport ka qenë vëllai im pasi që ai ka filluar me xhudon para meje. Gjithçka nisi si argëtim por me kalimin e kohës është bërë pjesë e jetës sime. Të veçantë do të thosha se më bënë disiplina dhe përgatitja fizike e psikologjike para duelit. Para se të bëhesha pjesë e FSK-së kam ushtruar katër deri në gjashtë orë brenda ditës”.

E që nga mosha 9-vjeçare ai numëron një sërë suksesesh për të cilat ndihet krenar, porse thotë se nuk janë të mjaftueshme.

“Jam kampion i shumëfishtë i shtetit për kategorinë e seniorëve. Përpos kësaj tre herë jam medalist ballkanik derisa numëroj mbi 30 medalja të arta në gara të ndryshme ndërkombëtare. Të gjitha garat në të cilat marr pjesë i konsideroj të një rëndësie të madhe mirëpo një më të veçantë do e konsideroja kampionatin ballkanik të vitit 2017 në kategorinë e kadetëve ku kam marrë medaljen time të parë zyrtare dhe njëherësh jam ndier shumë i lumtur për shkak se nuk e kam pritur as vetë një sukses të tillë. Fokusi pothuajse është i njëjtë si në sportin e xhudos ashtu edhe në ushtri mirëpo në sport ka emocione të veçanta që zor se përshkruhen me fjalë”, ka përfunduar tutje Hyseni.

Qëllimi kryesor i tij mbetet përfaqësimi i vendit në gara olimpike dhe fitimi i medaljes së artë në këtë garë.