SOT

Ura e Ibrit, simbol i qytetit të Mitrovicës

Ura e Ibrit e që e ndan anën jugore të Mitrovicës nga ajo veriore, ndër vite ka kaluar në ndryshime të shumta.

Nga struktura e drurit tek ajo e hekurt, nga një shëtitore në vijë ndarëse në mes të dy etnive.

Duke qenë simbol i ndarjes së qytetit të Mitrovicës, kjo është krejt çfarë ura ka mbetur në ditët e sotme sipas Nexhmedin Spahiut.

Por, ai ruan edhe kujtime të mira nga fëmijëria e tij dhe tregon për shëtitjet që kishte me gjyshin e tij, pikërisht në Urën e Ibrit.

Kujtime në urë ka edhe banori i anës veriore të qytetit, Branisalv Krstiq.

Ai e sheh jo të natyrshme ndarjen e qytetit në këtë mënyrë përderisa banorët e të dy anëve ndërveprojnë çdo ditë.

Çështjet politike, thotë ai, janë ato që e vazhdojnë një gjendje të tillë në urën e Mitrovicës.

I pakënaqur me ndikimin e politikës në situatën e qytetit të Mitrovicës shpehet edhe kryetari i KMDLNJ-së për këtë qytet, Halit Barani.

Derisa mbi lumin Ibër kalojnë edhe ura të tjera, në të cilat lëvizet lirshëm, në urën kryesore ende nuk lejohet lëvizja e automjeteve.