SOT

Shtëpia-shkollë e familjes Hertica, pa përkujdesje institucionale

Descriptive Text

Me 10 dhoma për mësim në 3 ndërrime e 30 klasë, shtëpia shkollë e familjes Hertica për 8 vjet me radhë i shërbeu edukimit të shumë brezave.

Pronari i shtëpisë, Mehmet Aliu, e kishte lëshuar atë për mësim në vitet ‘90.

Ende në muret e jashtme të shtëpisë kanë mbetur të shkruar emrat e atyre që dikur kaluan nëpër bankat e shtëpisë shkollë.

Në brendi ajo ruan edhe më shumë kujtime për Fadil Herticën.

E ndarë në dy hyrje e me dhoma të veçanta për secilin aktivitet, Hertica thotë se këtu u punua me përkushtim, ndonëse në kohë shumë të vështira për arsimin.

Guximi i nxënësve për të shkuar në shkollë dhe angazhimi i profesorëve të kohës për mësimdhënie, ai thotë se janë dy prej kujtimeve më të mira.

Në të tre katet e objektit vazhdojnë të mos preken të gjitha artefaktet që tregojnë për kohën kur u mësua shqip e kohën kur shtëpia u sulmua nga forcat serbe.

Me gjithë angazhimin e familjes për ta mbajtur në këmbë, Fadil Hertica thotë se janë të zhgënjyer me mospërkrahjen e institucioneve për renovimin e këtyre hapësirave.

Ndonëse u hap konkurs për këtë çështje, ku u shpallën edhe dy fitues nga Komuna e Prishtinës, shtëpia-shkollë e Herticëve edhe më tutje mbetet në gjendje të njëjtë.

Për ta ruajtur nga dëmtimet natyrore familja ka vendosur një mbrojtëse të përkohshme që ruan kulmin e shtëpisë dhe themelin.

Adrian Berisha, drejtor për Kulturë në Prishtinë, deklaron se projekti ka ngecur ngase kompania projektuese tejkaloi hapësirën që i takon objektit dhe si pasojë, tashmë duhet ridizajnuar duke respektuar kufijtë e parcelës.