SOT

Dita dhe Njomza, miket që i bëri bashkë pianoja

Kontaktin e parë me pianon njëra e kishte në Tiranë, tjetra në Gjilan.

Ditë Hysaj dhe Njomza Kastrati nuk u ndalën së luajturi notat në piano që nga klasa e parë, për të vazhduar të bëhen kolege e shoqe.

Gjithnjë nën përcjelljen e tingujve.

Duke e ndarë pasionin e përbashkët, Ditës i erdhi një kërkesë nga Njomza që ta luanin së bashku një vepër të dashur për të. Por, që të luhej ajo vepër kërkoheshin dy piano.

Kështu lindi “Duo Piano” e mikeve.

“Për Duo Pianon ka qenë ideja edhe dëshira e madhe e Njomzës, më ka tregu per një vepër, por që është për dy piano”, thotë Hysaj.

E shoqja e saj është e lumtur për bashkëpunimin.

“Kur e kam takuar Ditën e kam ditur që ka me u realizu. Jam shumë e lumtur që e kam takuar atë dhe po e realizojmë këtë projekt që të sjellim një koncert”, shtoi Kastrati.

Vepra e Rahmaninovit ishte arsyeja kryesore që “Duo Piano” filloi. Duke e shtyrë tutje projektin, edhe idetë për gjëra të reja nuk ndaleshin.

Që të dyja tashmë janë mësimdhënëse në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, punë kjo që u merr kohë. Porse dëshira e madhe për realizimin e këtij koncerti u jep energji të pashtershme për të ushtruar vazhdimisht.

“Ka qenë e vështirë me u bë bashkë, por me mirëkuptim kemi ushtruar bashkë. Tash do të vijë koncerti me recitalin që e kemi përgatitur”, u shpreh Kastrati.

Koncerti “Duo Piano” do të mbahet në Sallën e Kuqe.