SOT

Java e përdorimit të sigurt të internetit

Në shekullin e ri përdorimi i internetit ka lehtësuar mënyrën se si ne komunikojmë, mësojmë e kërkojmë të dhëna që na duhen.

Por, bashkë me këtë lehtësim shfletimi nëpër internet ka edhe rreziqet e veta, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë.

Java e dytë e muajit shkurt që nga viti 2005 shënohet nga 177 shtete të botës, si java e sensibilizimit për përdorim të sigurt të internetit.

Kësaj kampanje i është bashkuar edhe Kosova që nga viti 2014, ku aktivitetet kryesore zhvillohen në shkollat fillore për ndërgjegjësimin e nxënësve.

Për t’u ikur materialeve të dëmshme dhe rrezikut që vjen nga përdorimi i pakontrolluar i internetit, nxënës të shkollës fillore “Pavarësia’’ në Prishtinë kanë hapur edhe ekspozitën me punime të ndryshme për promovim të sigurisë në internet.

Filloristja Daorsa Imeri shpjegon punimet dhe përgatitjet e nxënësve për përdorimin e sigurt të internetit.

Komuna, shkolla e shteti si një organ i vetëm është mesazhi kryesor i broshurës që nxënësit kanë përgatitur këtë vit.

Ku sipas drejtorit të kësaj shkolle, Shefki Rusinovci, luftimi dhe nxitja e përdorimit sa më të sigurt të internetit duhet jetë në plan të parë për të gjitha institucionet.

Sipas Rusinovcit, përpos nxënësve duhet ngritur edhe vetëdija e prindërve për shfletimin në internet dhe se çfarë i rrezikon ata e fëmijët e tyre.

Përpos broshurave dhe punimeve nga nxënësit, aktivitet tjetër kryesor në këtë ditë ishin edhe ligjëratat nga njohës të çështjeve rreth sigurisë dhe përdorimit të internetit te fëmijët.