SOT

Babai përballë vajzës 14-vjeçare në lojën e shahut

Koha më e dashur e ditës për 14-vjeçaren Vesa Shala është shkuarja në Klubin i Shahut e shoqëruar nga babai i saj.

Madje Vesa në syrin e babait të saj del të jetë një nga kundërshtarët e fortë përballë.

Entuziazmin për shahun e kishte vërejtur qysh herët babai i shahistes 14-vjeçare, pasi që thotë se inkuadrohej gjatë çdo lojë në shtëpi.

“Në fillim Vesa më ka parë mua teksa e luaja shahun. Ne shah kemi pasur në shtëpi dhe gradualisht e kemi mësuar edhe Vesën. E kam kontaktuar më pas zonjën Shehrije dhe e kemi regjistruar në këtë klub”, shprehet babai i 14-vjeçares, Besnik Shala.

Në ballafaqimet me të bijën, interesante janë momentet kur ajo del triumfuese ndaj babit..

“Është ndjenjë shumë e mirë, ani pse ndonjëherë kjo loja e shahut si çdo lojë tjetër e ka një lloj inati pozitiv, sepse ndikon me u zhvillu edhe më shumë. Madje sot gjatë lojës edhe i thashë Vesës që qenka përgatitë, sepse gjithmonë ka ndjerë kënaqësi kur më ka mund”, shton babai i Vesës.

Teknikat e para të shahut edhe Vesa thotë t’i ketë përvetësuar në shtëpi, derisa nuk ngurron ta përmendë pikën e saj më të fortë në këtë sport.

“Trajnerja më ka zgjedhur si simultane, që nënkupton të luajturit me disa vajza njëkohësisht. Ka qenë e vështirë kjo gjë në fillim, por jam munduar që ta jap më të mirën time”, thotë Vesa Shala.

14-vjeçarja shihet si potencial për pjesëmarrje në kampionatin e shahut nga trajnerja e saj Shehrije Gërbeshi.

“E kam parë entuziazmin dhe dashurinë e Vesës për këtë lojë, andaj mendoj që edhe në kampionat të shkoj me të”, thekson Gërbeshi, drejtoreshë e klubit të shahut për femra.

Dita e saj nis me mësimet në shkollë e përfundon në aktivitete të lira, ndër të cilat shahun e sheh me më shumë pasion, pasi që sipas Vesës është sport i mendjes që kërkon nivel të lartë të inteligjencës.