SOT

Rritja dhe sukseset e Bowlingut në Kosovë

E nisën si aktivitet për ta kaluar kohën e lirë, ndërsa përfunduan duke ia kushtuar kohën më të madhe.

I njohur si “10 pinshi’’ ose sporti i gjyles, bowlingu ka filluar të luhet profesionalisht në Kosovë për më shumë se 10 vjet.

Nga vajosja e stazës për lojë e deri te pastrimi i këpucëve e topave, bowlingu kërkon një disiplinë së cilës duhet t’i përmbahen të gjithë brenda parketit.

Për secilën gjuajtje dallon edhe topi që duhet përdorur, thotë Korab Beadini, trajner i certifikuar nga Federata Botërore e Bowlingut.

Ndërsa, u duhet kushtuar kujdes edhe mbajtjes së topit dhe pozitës së trupit.

Duke nisur nga gara individuale, në dyshe e për të kaluar në garën mes pesësheve të secilit ekip, bowlingu kërkon seriozitetin maksimal në stërvitje.

Si një sport që mesatarisht merr 5 orë për një ndeshje, Mirsad Sejdiu tregon për mënyrën e veçantë të garimit, ndarjes së ekipeve në tabela dhe mënyrën e pikëve.

Edhe pse si federatë është krijuar shumë më vonë në krahasim me vendet në rajon, në bowling Kosovës nuk i ka munguar përfaqësimi në garat evropiane e botërore.

Sejdiu, që njëherësh është edhe sekretar i federatës së këtij sporti, thotë se pavarësisht vështirësive dhe mungesës së trajnimit adekuat, kanë arritur që të zgjojnë interesim për t’u marrë me këtë sport.

Derisa kujton edhe një moment shumë të veçantë që i kishte ndodhur atij gjatë garave në Amerikë, ku përfaqësoi Kosovën në Kampionatin Botëror.

Bashkë me rritjen e nivelit të garave në ligën e Kosovës, për bowlingun është duke u rritur edhe interesimi për t’u marrë me këtë sport.

Gjatë një viti kalendarik, Kosova merr pjesë në 45 evenimente sportive të organizuara në vend e jashtë tij për Bowling.

Ndërkohë që shumë shpejt pritet të fillojnë edhe liga e korporatave, liga e shkollave të mesme dhe liga universitare të Kosovës në bowling, si pjesë e projektit për ta shtuar popullaritetin e këtij sporti.