SOT

Kultura e kosovarëve për dhënien e bakshishit

Që nga ora 7:00, atëherë kur edhe hapet lokali, e deri pas 8 orësh punë, janë të rralla ato momente kur Granit Reçica mund ta gjejë një kohë për të pushuar.

Ai vazhdimisht është në shërbim të klientëve të cilët frekuentojnë kafenenë e njohur në kryeqytet, “CaffeZ”.

Edhe pse ka një përvojë të gjatë në punën e njëjtë, ku edhe klientët janë të përditshëm, bakshishet gjatë ditës janë të vogla. Sipas tij, kosovarët ende nuk kanë arritur vetëdijesimin për ofrimin e bakshisheve pas një shërbimi të kryer nga ana e kamerierit.

Sipas Granitit, edhe pse mirësjellja e tyre ndaj klientëve nuk mungon, kultura e falënderimit nuk është edhe aq e dukshme.

Edhe Çlirim Hoxha nga “Casa de Babel” tregon për një përvojë të njëjtë. Mirëpo, në rastin e tij, vajzat janë ato të cilat më shumë vlerësojnë shërbimin e tyre.

Hoxha tregon që 20 euro ka qenë një ndër shumat më të mëdha që ka pranuar nga një klient, madje edhe atë e ka ndarë bashkë me stafin e vendit ku punon.

Periudha e pandemisë ka qenë e vështirë për shumë biznese, përfshirë edhe sektorin e gastronomisë.

Madje, më parë ishte diskutuar edhe çështja e ngritjes së çmimit të kafesë për disa centë, gjë që nuk zgjati për shumë kohë. Gastronomët në vazhdimësi kërkojnë përkrahje më të madhe nga institucionet e vendit, pasi, sikur thonë vetë ata, një gjë e tillë mungon dukshëm.