SOT

Kitarja, pjesë e pandashme e Sara Abitit

Pjesa e pandashme e Sara Abitit është kitara.

E rritur në një familje muzikantësh, që e vogël ajo nisi rrugëtimin drejt tingujve muzikorë.

“Prindërit e mi janë muzikantë, edhe mund të them që e kam si trashëgim dhe që muzika gjithë më ka flejtë në shpirt”, deklaron Sara.

E ishin pikërisht prindërit ata të cilët, kur Sara ishte në klasën e 9-të, ia bënë dhuratë një kitarë. Prej atëherë nxënësja e shkollës së muzikës në kohën e lirë e mësoi edhe kitarën.

“Kitarën babi si dhuratë ma ka dhënë në klasën e 9-të, prej atëherë kam filluar ta mësoj”, thotë ajo.

Këngët në gjuhën angleze e tërhoqën më shumë. Ato mësoi edhe t’i këndojë derisa i luante notat me kitarë..

Por pas ushtrimeve të shumta e kuptoi që këngët shqip i ndien më afër vetes e i këndon me më shumë dëshirë.

“Mua më pëlqejnë shumë këngët shqip, por më shumë jam inspiruar nga këngët anglisht”, shton Sara.

Ajo së fundmi përcjell te publiku versione të reja të këngëve nga skena kosovare.

“Unë nuk e postoj një cover pa më dalë mirë, pa e shiku. Vetëm një detaj i vogël mos me dalë mirë, duhet me e fillu edhe një herë tërë videon”, deklaron ajo.

Me publikimin e videove të para në Instagram, Sara e kishte edhe mendimin se si do të priteshin ato nga ndjekësit e saj, e lëvdatat e të tjerëve e shtynë më tutje.

Ajo i veçon komentet nga bashkatdhetarët.

“Në fillim kam pasur shumë stres se kam menduar që nuk do t’i pëlqej askujt, por komente pozitive ka pasë shumë dhe jam shumë e kënaqur”, thotë Sara.

Ëndrra e saj më e madhe është që të bëhet këngëtare e t’i bëjë prindërit e saj krenarë përherë me kitarën afër vetes.