SOT

78-vjeçari kujdeset çdo ditë për shtatoren e Nënë Terezës

“Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të”, është vetëm një nga thëniet e shenjtores Nënë Tereza.

Një thënie e tillë e përshkruan mirë 78-vjeçarin Faik Sefa nga Koliqi i Prishtinës.

Çdo ditë në orën 8:00 të mëngjesit, ai niset për te shtatorja e shenjtores në kryeqytet aty ku kujdeset dhe e mirëmban atë, punë krejt vullnetare.

“Kur kam ardhur këtu i kam pa mbeturinat sepse çdo ditë vij në këtë pjesë dhe kështu mundohesha ta pastroj vendin. E tash ka diku 5-6 vjet që rregullisht dal dhe e pastroj çdo herë, e me qenë nevoja edhe më shpesh gjatë ditës e bëjë këtë”, thotë 78-vjeçari.

Veprat e Nënë Terezës, siç shprehet ai, janë motivi kryesor që i dha obligim vetes ta bëjë një gjë të tillë.

Madje i ka të freskëta edhe rastet kur pati nevojë për të.

“Me aq sa kam arrit ta njoh e dëgjoj për të, Nënë Tereza ishte shembull. Ajo ishte nëna e të gjithë shqiptarëve. Më kujtohet kur e patën hap një barnatore në ‘Zenel Hajdin’. Aty kanë dhënë ilaçe, disa kanë paguar disa të tjerë jo. Unë e kujtoj që më kanë dhënë pa para”, shprehet ai.

Edhe pse e njohin si kujdestar të kësaj shtatoreje, 78-vjeçari thotë ta ketë të nevojshëm një dokument si dëshmi e punës dhe kujdesit të tij.

“Ka raste kur vjen nëna me fëmijë dhe ata i lë këtu, pastaj ata afrohen përreth saj. Unë afrohem e ju them që të zbresin prej saj, por pastaj më thonë: “pse të duhet ty”. Nuk e kam asnjë dokument të vetëm për ta dëshmuar se unë përkujdesem për të”, thotë Sefa.

Siç shprehet Faik Sefa, qytetarët e vlerësojnë këtë gjest bamirës të tij, duke iu afruar herë pas here edhe për fotografi.

I pensionuari Faik Sefa, thotë se këtë punë e nisi pa pritur asgjë në këmbim, por nuk harron një donacion që e kishte pranuar.

“700 franga më kujtohet më kanë dhënë, para një viti e gjysmë. Nuk e kam aspak te paraja, sa e kam te vullneti që më mban”, shprehet ai.

Vullnetmirë e energjik, pavarësisht moshës, ai thotë se do të vazhdojë të kujdeset për shtatoren e Nënë Terezës.