SOT

Produktet e fundvitit në tregun mobil

Tregu mobil i Prishtinës është hapësira ku fermerë të shumtë nga vende të ndryshme të Kosovës i shesin produktet e tyre. Dominuese ndër to janë produktet ushqimore. Produkte të shitura të këtyre kohëve për fermerin nga fshati Rimanishtë, Ismet Arifi, në Komunën e Prishtinës kanë qenë çajet.

“Ne kemi çaje të ndryshme pasi që është edhe sezoni vjeshtor dhe kemi gripe të ndryshëm dhe shpesh përdorin çaje. I përdorin për ftohje, kollë dhe gjithçka tjetër”, thotë Arifi.

Ndërkaq nga Zhakova, fshat malor i Komunës së Istogut, i sjell mollët, por edhe produktet karakteristike, si dardha turshi, fermerja Fatmushe Hajrizi.

“Dardhën e shërbejmë, së pari e ziejmë e pastaj e bëjmë turshi. E kërkojnë shumë klientët”, thotë Hajrizi.

Edhe Valbona Rama-Sopa nga Sllovia e Lipjanit ka produkte të veçanta, siç është edhe sallata e lëngshme e domateve.

Siç tregon ajo, me gjithë goditjen e pandemisë qytetarët po i kërkojnë produktet e këtij tregu duke qenë të bindur në cilësinë e tyre.

“Për një kohë të tillë të virusit punët po ecin mirë. Qytetarëve do t’u thosha të dalin të na vizitojnë. Jemi tri herë në javë me prodhime të Kosovës, me prodhime bio”, thotë Rama-Sopa.

Dëshmi për këtë janë edhe klientët që me ose pa çadra e vizitojnë këtë treg për produktet sezonale, vendore e cilësore.