SOT

Artistët ferizajas i japin jetë “Bashkimit të Qytetit”

Nisi si një projekt i cili do të ndihmonte lëvizjen më të lehtë në qytet, por që kësaj iu bashkua edhe ajo që nga qytetarët po vlerësohet si art që të kënaqë edhe syrin kur kalon pranë.

Quhet “Bashkimi i Qytetit”, dhe si i tillë nuk do të jetë vetëm një projekt i thjeshtë, raporton KOHA.

Janë të rinjtë e Ferizajt të cilët dalëngadalë po e shndërrojnë secilin mur në art.

E njëri prej muraleve në këtë pjesë është më i veçanti, për shkak se figura kryesore aty është njëra prej vetë artistëve, ajo e 16-vjeçares Endrina Luzha.

Endrina nuk i fsheh emocionet që ka sa herë që sheh figurën e saj të shndërruar në mural nga një artist amerikan, e edhe për komentet që të tjerët ia bëjnë asaj.

Drejtoresha artistike në “Mural Fest”, Pranvera Sylejmani, tregoi se si filloi e gjithë ideja që një ambient i tillë të jetë i mbushur me art.

Pasi që ka pak kohë që ka përfunduar edicioni i fundit në “Mural Fest”, Sylejmani thotë se si asnjëherë më parë prezenca e të rinjve ishte fryma që përcolli këtë edicion.

Për shkak të kapaciteteve të pakta që ka Kosova me artistët profesionalë që punojnë murale, të tillë priten të shtohen së shpejti, e në këta hapa janë Dëbora Hetemi e Emona Deda.

Ferizaj njihet ndryshe si qyteti i muraleve, kjo pasi që shumë objekte të vjetra kanë marrë pamje tërheqëse e vizatime të ndryshme, të cilat shtohen çdo vit e që trajtojnë tema të ndryshme sociale.