SOT

Veshja e kosovarëve kryesisht nga Turqia

Materiale të ndryshme mund të blejnë qytetarët në Kosovë. Megjithatë, shumica prej tyre janë nga Turqia.

Edhe rrobat e tjera në përgjithësi të ekspozuara nëpër dyqane janë nga ky vend.

Atdhe Elshani nga dyqani “DoniFix” për emisionin "Sot" të Kohavisionit, tha se që nga muaji mars nuk kanë importuar mall. Kryesisht ai thotë se furnizohen me mall nga Turqia dhe India.

Ndërkohë, Artan Kurteshi thotë se nuk po arrin ta shesë mallin që e ka në dyqan dhe se nuk ka mundësi të bëjë kërkesë për mall të ri.

E prej muajit maj deri tani në korrik, Elshani thotë se po bëjnë vetëm shitje të maskave.

Që Kosova më së shumti importon tekstil nga Turqia e vërtetojnë edhe statistikat nga Dogana e Kosovës. Mirëpo gjatë këtij shtatëmujori të vitit 2020, në vendin tonë janë importuar vetëm 13 milionë kilogramë tekstil. Krahasuar me vitin paraprak që gjatë kësaj periudhe të njëjtë janë importuar 30 milionë kilogramë. E rënia e importit të tekstilit ka ndodhur si rezultat i pandemisë Covid-19.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës, thotë se një gjë e tillë ka qenë e pritur, sepse gjatë pandemisë e gjithë bota është ballafaquar me rënie të importit të tekstilit.

Gjatë kësaj kohe, sipas tij, janë rritur blerjet online.