SOT

Nevoja për lodra për fëmijët me aftësi të kufizuara

Blerina Krasniqi bashkë me babanë e saj, Ismailin, shkojnë shpesh në parqe, por qasja dhe lodrat e përshtatshme nuk janë aty. Ndonëse tregon se e preferon Parkun e Gërmisë, lojërat i ka në shtëpinë e saj.

Në parqe të Prishtinës, ashtu si edhe nëpër komunat e tjera, mungojnë këndet e lojërave që u japin qasje fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Ai e thekson nevojën për të dalë, por duke përdorur masa mbrojtëse.

Eldin Gashi, përfaqësues i grupit avokues të fëmijëve me aftësi të kufizuara për 3 komuna të Kosovës, thotë se qasja është e vogël nëpër parqe.

Parqet, sipas Gashit, duhet të jenë të përbashkëta për ta mundësuar shoqërimin me fëmijët e tjerë.

Ai pret që kryetarët e komunave të krijojnë hapësira të qasshme duke i përfshirë lojërat.

Sipas zëdhënëses së “Handikosit”, Kaltërina Misini, moskrijimi i këtyre hapësirave është në kundërshtim me rregullat në fuqi, të cilat e vendosin këtë barrë te komunat.

Sipas saj, pavarësisht donacioneve, përgjegjësia i mbetet përsëri nivelit lokal.

Misini tregon se ka shumë punë për t’u bërë nga komunat e Kosovës për ofrimin e një qasjeje më të barabartë.

Ndonëse Komuna e Prishtinës, sipas drejtoreshës së parqeve, Fatime Hajdari, e ka në plan që të ofrojë kënde të tilla edhe për këta fëmijë, një gjë e tillë është vështirë e realizueshme këtë vit pasi që, sipas saj, buxheti do të ridestinohet kryesisht në luftim të pandemisë. Megjithatë, Hajdari ka thënë se do të mundohen që projektet e tilla t’i shtyjnë përpara.