SOT

Hithrat, mëllaga e ciani, bimët që eksportohen nga Abria e Drenasit

Fshati Abri e Epërme e Drenasit shpesh përmendet si prejardhja e Xhemal Abrisë. Fjalët e mëdha, meseletë dhe e pleqnitë e çështjeve shoqërore të tij para dy shekujve dihen ende nga shumë vende të Kosovës.

Por, në ditët e sotme, në fshat njihet Qamile Muliqi, fermere e suksesshme, që njihet për kultivimin e bimëve të shumta të cilat eksportohen jashtë Kosovës, raporton KOHA.

Hithrat, që nuk njihen shumë për prestigj, janë një nga kulturat të cilat ajo i ka përzgjedhur t’i mbjellë për vitin e dytë me radhë.

Muliqi tregon se kërkesa është e madhe, si për hithrat, ashtu edhe për lulet si mëllaga e zezë, kalendula e ciani. E më së shumti ajo e veçon mëllagën e zezë.

Edhe çmimi i saj, sipas Muliqit, pritet të jetë i mirë - bazuar në vitet e kaluara.

Mëllaga, që çel lule të shumta brenda ditës, kërkon punë. E, për këtë arsye, vjeljen, Muliqi me familjarë e kanë bërë në mënyrë të veçantë.

Duke folur pranë luleve të kaltra të cianit, Muliqi tregon se të gjitha këto kultura duhen kultivuar në mënyrë organike për zhvillim.

Karakteristikë e cianit, sipas saj, është ndjeshmëria.

Muliqi është falënderuese që ka marrë si donacione tharëse të luleve e gjetheve dhe sistemin e ujitjes. Ajo shton, veç tjerash, se këto kultura rishiten nga fabrika kosovare jashtë vendit në masë prej 100%.