SOT

Instruktor pa shofer

Kemal Dumnica ka tre muaj që nuk e ka ushtruar asnjë kandidat të ri për vozitje të veturës.

Dhe unë isha kandidatja e parë për të, pas kësaj kohe të gjatë, raporton KOHA.

Autoshkollat janë në mesin e bizneseve të pakta, të cilave autoritetet ende nuk u kanë dhënë leje për të rifilluar punën, shkaku i pandemisë.

Megjithatë, Dumnica na tregon se cilat janë leksionet që i merr një kandidat, në orën e parë të mësimit për vozitje.

Ai tregon për të mirat dhe vështirësitë që ka profesioni i instruktorit.

Vështirësitë më të mëdha që i hasin kandidatët, sipas tij, janë gjatë ngasjes së makinës në rrethrrotullim.

Meqë ka një periudhë që nuk kanë mundur të punojnë, kjo, sipas Dumnicës, pashmangshëm i ka dëmtuar në aspektin financiar.

Edhe Zylfie Ferati- përgjegjëse në autoshkollën “Instruktori”, thotë se si biznese janë diskriminuar, meqë nuk është dhënë leja për operim.

Ajo tregon se kanë presion nga ana e kandidatëve për mbajtje të orëve.

Ferati ka bërë të ditur se nëse nuk merret ndonjë vendim për autoshkollat, atëherë këtë të enjte do të protestojnë para Ministrisë së Transportit.

E instruktori Dumnica thotë se patenta e shoferit shumë më lehtë mund të merret në moshë më të re.
U bënë apel vozitësve të rinj që t’i respektojnë shenjat e komunikacionit.