Shtojca për Kulturë

Polemikat e ashpra rreth kryepeshkopit joshqiptar

Caktimi i një kleriku të huaj për të udhëhequr Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare shkaktoi përdridhje, frustrime dhe polemika të skajshme mes të gjitha shtresave shoqërore të hapësirave shqiptare. Pohohet se Kishën Shqiptare po e shkishërojnë grekët dhe serbët. Ndërkaq, në afërsi të katedrales një e moshuar që mbante foton e themeluesit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, të fortlumturisë së tij Fan Noli, u shoqërua në polici. Kurse disa të rinj që ngritën flamurin serb në formë poshtërimi përpara kishës nuk u ngacmuan fare

Më 1 qershor 2014, në qendër të Tiranës u inaugurua katedralja e re ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, siç u tha, në kuadër të 20-vjetorit të zgjedhjes së fortlumturisë së tij Anastasit, si kryepeshkop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Mesha e veçantë në Katedralen e re u drejtua nga kryepeshkopi Anastas. Bashkëshërbyen në vijim edhe patriarkët e Jerusalemit, Serbisë, Rumanisë dhe kryepeshkopët e Qipros, Athinës, Varshavës dhe Tiranës, si dhe përfaqësues të patriarkëve të Rusisë, Bullgarisë, Gruzisë dhe Antiokisë. Sipas Kishës Ortodokse të Shqipërisë, shugurimi i Kishës Ortodokse është një bekim i veçantë jo vetëm për të krishterët ortodoksë shqiptarë, por edhe për të gjithë vendin, dhe ishte një konfirmim i rëndësishëm i ortodoksisë në botë. Fituese e konkursit ndërkombëtar arkitektonik (2002) për dizajnimin e katedrales së re ortodokse shqiptare “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë ishte shpallur studioja greko-amerikane “Papadatos Partnership LLP Architects” nga New Yorku.

Kompleksi i saj përbëhet nga këto korpuse: Kisha katedrale, Kishëza, Kambanorja, Selia e Sinodit të Shenjtë dhe Qendra Kulturore. Kisha mbulohet me kupolë, me diametër të brendshëm 26 metra dhe lartësi 23 metra, ndërsa katër masat mbështetëse përfundojnë me mbulesa gjysmëcilindrike. Pikturat murale (afresket) e kësaj katedraleje janë vepra në teknikën e mozaikut të ateliesë “Arbërart” të artistëve shqiptarë, bashkëshortëve Droboniku, Josifi dhe Liljana, dhe me asistimin e vajzave të tyre, Mirlinda dhe Alba. Kupola e Katedrales së re të Tiranës mban përbrenda, siç pretendohet, mozaikun më të madh në Ballkan, Krishtin Pantokrator, i cili mbulon 600 metra katrorë. Josif Droboniku u lind në Fier më 1952. Ndoqi liceun artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në Degën e Pikturës Monumentale. Mozaikët dhe afresket e tij gjenden edhe në Muzeun Historik Kombëtar dhe në Pallatet e Kulturës në Tiranë, Lushnjë dhe Peshkopi. Emigroi në nëntor 1990 në Itali, dhe u vendos në Lungro të Kalabrisë, ku në 20 vjetët e ardhshëm do të merrej me realizimin në teknikat e pikturës murale dhe ikonografisë nga Roma deri në Sicili, në kishat arbëreshe. Ndërkaq, sipas propozimit të kryepeshkopit Anastas, skulptori Janis Kirarinis, i ardhur nga Dino i Greqisë, realizoi ikonostasin e gdhendur në mermer të bardhë.

Image
Kisha e re “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë

Ndërkohë, po kristalizohet një mendim i përgjithshëm se kubeja e Katedrales se Re të Tiranës po zgjon ndjenjën e krahasimit me Shën-Sofinë e Kostandinopojës (Stambollit), të cilën e kishte ndërtuar që në shekullin VI perandori romak, Justinian (527-565) - i gjakut ilir nga Dardania (Kosova e sotme). Tani kryeqyteti shqiptar u bë me të dytin tempull fetar, i cili po krahasohet me Kishën e Stambollit, pas Xhamisë së Et’hem Beut në zemër të Tiranës, në mbishkrimin e së cilës shkruan: “Duke e bërë si një Aya Sofi tjetër, e zbukurova këtë qytet”.

Ndërkaq, caktimi i një kleriku të huaj për të udhëhequr Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare shkaktoi përdridhje, frustrime dhe polemika të skajshme mes të gjitha shtresave shoqërore të hapësirave shqiptare. Pohohet se Kishën Shqiptare po e shkishërojnë grekët dhe serbët. Në afërsi të Katedrales një e moshuar që mbante foton e themeluesit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, të fortlumturisë së tij Fan Noli, u shoqërua në polici!? Kurse disa të rinj që ngritën flamurin serb në formë poshtërimi përpara kishës nuk u ngacmuan fare. Përkundër faktit se Kisha Ortodokse që në fillimet e saj ishte bazuar në parimin se krishterimi u përket kombeve dhe jo një kombi të vetëm, siç manipulojnë edhe sot priftërinjtë grekë. Në bazë të këtij parimi universal, lindën kishat nacionale në çdo shtet-komb. Kështu, gjatë shekujve lindën kishat ortodokse autoqefale bullgare, ruse, serbe, rumune, derisa erdhi viti i bekuar 1922, kur edhe kombi shqiptar shpalli kishën e vet të pavarur (autoqefale). Përkundër faktit se sipas Statutit të saj kryepeshkopi duhet të jetë shqiptar, dhe se liturgjia duhet të mbahet në gjuhën shqipe. Përkundër faktit se më 22 mars 1908, Theofan Stilian Noli festoi Liturgjinë e parë Hyjnore në gjuhën shqipe në historinë e Kishës Ortodokse. Përkundër faktit se në Boston të ShBA-së tashmë mbi 100 vjet vepron Kisha shumë e bukur ortodokse shqiptare e Shën Gjergjit. Përkundër faktit se nuk mund të harrohet i ashtuquajturi “Incidenti Hudson", i cili kishte ndodhur në vitin 1907, kur një i ri shqiptar, Kristaq Dishnica, vdiq në Hudson. Kisha Ortodokse nuk deshi t’i kryente ritet e varrimit, sepse ai ishte patriot shqiptar dhe u konsiderua si një excommunicant i besimit. Dhe kështu ai u varros në një varrezë të Worcesterit pa asnjë shërbim fetar. Incidenti ngjalli zemërimin e shqiptarëve në Massachusetts dhe Fan Noli e qartësoi thirrjen e tij si një mundësi për t’iu shërbyer nevojave shpirtërore të komunitetit të tij, dhe për ta udhëhequr kauzën për lirinë fetare dhe politike në Shqipëri. Atëbotë Noli qe në gjendje të përfitonte mbështetjen e kryepeshkopit Platon, kreut të Kishës Ortodokse Ruse në Shtetet e Bashkuara, i cili e shuguroi atë më 18 mars 1908 në Katedralen e Shën Nikollës në New York.

Image
Kisha e Shën Mërisë në Elbasan dhe At Nikollë Marku

Edhe pse Pjetër Arbnori (1935-2006), i mbiquajtur Mandela i Ballkanit, i kishte kërkuar Ramiz Alisë (1925-2011) me anë të një letre zyrtare që ta ekstradonte Janullatosin nga Shqipëria, por ai nuk e kishte dëgjuar. Ndër shumë të tjerë që reaguan kundër abuzimit flagrant shumë të rëndë me Statutin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ishte edhe akademiku, prof. dr. Kristo Frashëri, i cili e shfaqi mendimin e tij meritor mbi këtë çështje: “Meqenëse Kisha Shqiptare ishte shthurur organizativisht nga regjimi komunist, ajo kishte nevojë të rimëkëmbej me institucione, me kuadro dhe me faltore. KOASH-i nuk kishte peshkop për të krijuar një Sinod. Iu drejtua për ndihmë patriarkatit të Kostandinopojës. Këtë nevojë të domosdoshme e shfrytëzoi Athina. Në bazë të porosisë së Patriarkatit të Kostandinopojës, Athina dërgoi në Shqipëri një misionar për ta ndihmuar si ekzark Kishën Shqiptare të rimëkëmbej. Ky misionar me emrin Anastas Janullatos do ta ushtronte misionin e vet si ekzark dhe jo si kryepeshkop, pra si misionar i përkohshëm. Si ekzark, sapo të realizonte detyrën e ngarkuar, pra sapo të formohej Sinodi i Shenjtë duhej të largohej nga Shqipëria. Me largimin e tij, Sinodi i Shenjtë duhej të zgjidhte kryepeshkopin e Shqipërisë. Ardhjen e tij me detyrë si ekzark, në Shqipëri e miratuan edhe presidenti i Republikës, Ramiz Alia, edhe kryeministri, Fatos Nano, edhe kryetari i opozitës, Sali Berisha. Por ç'ndodhi? Hirësia e tij e shkeli fjalën. Me kombinacionet e ndryshme që kurdisi mbrapa skenës dhe me një skenë teatrale që organizoi te hotel “Tirana Internacional”, ai e shpalli veten kryepeshkop i gjithë Shqipërisë. Ai veproi si një hileqar. Hirësia e tij Janullatosi nuk është shqiptar, siç e kërkon Statuti i KOASH-it. Ai është grek jo vetëm nga kombësia, por edhe nga ideologjia nacionaliste greke. Ai nuk është misionar ortodoks, por një agjitator i nacionalizmit grek, i cili ka për detyrë të përgatisë rrethanat e aneksimit të Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Kjo është arsyeja përse ai nuk shqetësohet për Katedralen e Hyjlindëses së Tiranës, kurse po bën çmos që Shtëpia e Kulturës në Përmet të qëndrojë si Kishë e Shën Mërisë. Atë e tërbon emri i Naim Frashërit”.

Me këtë rast reagoi edhe atë Nikollë Marku, i cili është në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare me seli në kishën e bukur të “Shën Marisë” në Elbasan. Ai thotë se nuk e njeh kryepeshkopin Anastas Janullatos, për arsye se ai nuk është shqiptar. Atë Nikollë Marku ka këtë qëndrim ndaj kombit dhe fesë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria, dhe pastaj ta duam Perëndinë”.

Sidoqoftë, kleriku grek Anastas Janullatos ka arritur që me këmbëngulësinë e tij fabuloze ta gëzojë rendimentin e tij të begatshëm me kurorëzimin e veprës së tij madhore të stilit postmodern alla Le Corbusier, të Kishës Ortodokse Shqiptare “Ngjallja e Krishtit” mu në zemër të Tiranës. Për këtë ngadhënjim marramendës ai, me gjasë, mund të ketë bërtitur brenda vetvetes: “Kryepeshkop legjitim i Kishës Ortodokse Shqiptare, imzot Fan Noli, unë të tejkalova” - pikërisht ashtu sikur kishte bërtitur perandori Justinian pas ndërtimit të Shën-Sofisë (Hagia Sophia) në Kostandinopojë në vitin e largët 537: “Solomon unë ta tejkalova!” Por, ky ngadhënjim marramendës i klerikut Janullatos kurrë nuk do të mund të ndodhte sikur pushtetarët bashkëkohorë të papërgjegjshëm shqiptarë të mos e dhuronin bekimin.

Seria e teksteve “Kujt i përkasin, në të vërtetë, tempujt fetarë në Kosovë?” të Shyqri Nimanit (6 maj 1941 – 22 qershor 2023), u botua për herë të parë në Shtojcën për kulturë, prej korrikut deri në gusht të vitit 2014.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës