Shtojca për Kulturë

Modelimi i Ballkanit mesjetar dhe famullitë katolike në Kosovën mesjetare

Hartë e Ballkanit e vitit 1720 nga Peter Schenk

Temë e trajesës sonë do të jetë gjendja në Ballkanin e lashtë dhe mesjetar nga këndvështrimi i studiuesve joshqiptarë, më konkretisht të historianit Sima Qirkoviq (1929–2009), linguistit dhe hulumtuesit të njohur të onomastikës, Mitar Peshikan (1927–1996) dhe antropologut Bojan Jovanoviq (1950). Historiani i njohur serb, Sima Qirkoviq, i lindur në Kroaci i takonte plejadës së historianëve, që vetëm për disa nuanca i shmangej interpretimit mitik të historisë serbe, por megjithatë edhe pse ai ende mbetet jo i popullarizuar në mjedisin e kontaminuar nacionalist serb, në veprat e tij në raport me historinë e shqiptarëve vërehet qartë mungesa e guximit intelektual përkundër prezencës së argumenteve të bollshme shkencore që ai të shprehet drejt mbi etnogjenezën e shqiptarëve dhe shtrirjen e tokave shqiptare në mesjetë. Për dallim prej Qirkoviqit, që famullitë katolike në Kosovën mesjetare i sheh vetëm si vazhdimësi e prezencës së sasve apo dubronikasve, antropologu Bojan Jovanoviq është më i qartë pasi ai shprehet qartazi se trashëgimia e pasur kulturore dhe historike e lidhur me një zonë të caktuar, është njëra prej arsyeve që kolonistët me prejardhje tjetër etnike e pretendojnë atë zonë duke provuar që të justifikohen si trashëgimtarë të menjëhershëm të saj! Për të formuar dhe konfirmuar identitetin e tyre kulturor dhe kombëtar, këta kolonistë në radhë të parë e mitizojnë të kaluarën e tyre dhe falsifikojnë historinë! Tezën e Jovanoviqit e vërteton linguisti Mitar Peshikan në studimin e emrave mesjetarë të shqiptarëve të krahinës së Gjakovës dhe Junikut. Titulli dhe nëntitujt në tekst janë të autorit

Ndikimi i mesjetës në formimin e hartës etnike të Ballkanit

Përkundër faktit se argumentet e afruara, sidomos të historianit Sima Qirkoviq, nuk e ndjekin metodologjinë e paraqitjes kronike të zhvillimeve historike, vendosëm që prej artikujve të tij “shkencor” t’i veçonim ato pjesë ku fshihet apo maskohet realiteti që ka të bëjë me shqiptarët dhe me famullitë katolike të Kosovës mesjetare. Qysh në fillim duhet të potencojmë së pari, se një lexim më i hollësishëm dhe i vëmendshëm i paraqitjeve të Qirkoviqit, vetvetiu do ta zbërthejë anatominë e konvertimeve të dhunshme të shqiptarëve që në mesjetë u gjetën nën pushtetin e sundimtarëve serbë dhe së dyti përkundër zhdërvjelltësisë së këtij autori dhe përqendrimit të tij në zhvillimet dhe organizmin kishtar të katolikëve kosovarë, vetëm në qendrat e njohura xehetare të Kosovës, megjithatë ai nuk ka mundur ta fshehë faktin se edhe në famullitë që ai i ngjyros me bojë sase e raguziane, fjalën kryesore e kishin priftërinjtë shqiptarë!

Fillimisht, Qirkoviqi ka konstatuar se procesi më i rëndësishëm, që pati rol në modelimin e hartës etnike të Gadishullit Ballkanik, ishte zmadhimi apo zgjerimi territorial i sllavëve të Jugut që ka ndodhur në mesjetë dhe në fund të këtij procesi, pra të zgjerimit sllav prej një numri të madh të grupeve të vogla etnike që ishin në fillim, atë e mbijetuan vetëm një grup i vogël i grupeve të dikurshme etnike. Natyrisht se ky fenomen bie në sy sidomos në ato pjesë të Gadishullit Ballkanik ku u vendosën sllavët e Jugut.

Por, siç potencon Qirkoviq, “më së vështiri është të dihet se çka ka ndodhur në brendinë e Ballkanit, se athua shqiptarët (arbanasit) dhe vllehët që ne i njohim më mirë në shekujt e fundi të mesjetës, e kanë origjinën prej një hapësire të veçantë gjeografike, pra që njihet si “djep i tyre” apo ata e kanë ruajtur substancën e tyre kombëtare që prej kohëve antike duke qenë banorë të përhershëm të një hapësire të madhe, të prerë e të thërrmuar në territore të ndryshme, ku më vonë u vendosën sllavët! Pra, a ka rrjedhur historia e tyre mesjetare si një lëvizje e pandërprerë jo vetëm në vendet dhe kullosat verore, por edhe midis krahinave amë dhe territoreve ku shqiptarët dhe vllehët i gjejnë kryesisht burimet tona të vonshme?

Vllehët e Ballkanit apo më saktësisht një degë e tyre, që mund të përcillet në një hapësirë të gjerë të Malit të Zi e deri në Istër, nuk e kanë pasur një organizim të përhershëm politik dhe kjo gjithsesi ka ndikuar në shpërbërjen dhe shkapërderdhjen e tyre, pavarësisht rritjes së tyre numerike dhe kufizimit të tyre brenda bashkësive të njohura si katunde vllehe.

Në anën tjetër shqiptarët e kanë pasur territorin e tyre kompakt të shënuar me emrin etnik (Arbanon, Arbanum, Raban, Regnum Albanie, Albania), ndërkaq nga fundi i mesjetës ata i patën disa shtete të udhëhequra prej sunduesve tanimë të njohur feudal.

Edhe pse periudha me të cilën ne merremi këtu është e shënuar me pranimin, përhapjen dhe forcimin e krishtërizmit ortodoks, megjithatë duhet ta tërheqim vërejtjen se në këtë epokë religjioze paraqitjet mbi veten dhe tjetrin janë të modeluara nën ndikimin e drejtpërdrejtë të këndvështrimit të krishterë mbi njerëzimin, historinë dhe fundin e botës. Pra, në botëkuptimin e krishterë, ishin të rrënjosura edhe botëkuptimet për misionin e shteteve dhe të bashkësive me të cilat ishin të plotësuara shtetet ekzistuese. Natyrisht se prej të njëjtit vizion të krishterë të historisë botërore u morën edhe argumentet për ideologjinë politike të Perandorisë Bizantine dhe për ideologjinë e atyre që e hidhnin poshtë sundimin universal të perandorëve, pra “historia e shpëtimit” e fitoi filizin e “historisë së gjinisë”. Shembullin specifik të një forme të traditës krishtere të vendosur në funksion politik e ofron “historiografia dinastike” në Serbi, e përcjellë prej kultit të “sunduesve të shenjtë”, por që në kohët e krizave të mëdha politike, veçmas në shekujt e sundimit osman, e njëjta traditë e mundësoi që në krahun e kishës të ruhen kujtimet e gjalla për “shtetin e dikurshëm mesjetar serb!”

Megjithatë, nuk mund të thuhet saktë se cila ka qenë lidhja që ka vepruar në rrethanat mesjetare apo cila ka qenë ideologjia integruese siç ishin ato mbi kultin e “sunduesit të shenjtë” dhe të “dinastisë së shenjtëruar” në Serbi.

Image
Hartë detare e vitit 1455 nga Bartolomeo Pareto

Latinë, vllehë dhe serbë

Por, ndarja më e rëndësishme dhe më e thellë në mesjetë ka qenë ajo në serbë dhe latinë, e cila është përcjellë me dallimet në sistemin juridik, ndërkaq në vendin e dytë është ndarja në “fisnikë” dhe “kmetë”. Pra, është kjo një ndarje universale, por e realizuar brenda bashkësive etnike ekzistuese.

Prandaj është shumë me rëndësi çështja se si dhe në çfarë mase “fisnikët” dhe “kmetët” e kanë pranuar njëri- tjetrin si pjesëtarë të një grupi të njëjtë dhe çfarë kanë qenë rrymimet dhe lidhjet mes tyre. Ekziston një numër i konsiderueshëm i burimeve historike ku kroati etnik paraqitet si sinonim i fisnikut, ndërkaq në një numër të konsiderueshëm të burimeve historike, serbi është sinonim i bujkut, i cili në planin e taksave dhe me statusin e tij veçohet prej vllehut që është blegtor!

Ndërkaq duhet të pajtohemi se latinët dhe vllehët nuk janë vetëm fryt i mënyrës së papërsosur të të menduarit të njerëzve mesjetarë, por ata janë pjesëtarë të grupeve reale shoqërore me një strukturë të veçantë të stratifikimit, me të drejta dhe vetëdije të veçanta për lidhjet midis anëtarëve të grupit të tyre. Prandaj laramania etnike mesjetare ballkanase, njëherësh e reflekton edhe integrimin jo të plotë të shoqërisë në kornizat e shteteve mesjetare. Derisa pjesëtarët e kishës janë të integruar në një shkallë më të lartë, duke iu falënderuar strukturës unike hierarkike dhe derisa fisnikëria gjatë fundit të mesjetës rrumbullaksohet duke u mbyllur në fisnikërinë trashëguese me të njëjtat të drejta bazë, pavarësisht të së kaluarës, autoritetit dhe pasurisë, megjithatë mund të thuhet se shoqëritë ballkanike në masë të madhe mbesin të ndara në kufijtë etnikë që thuajse mbetën të pashlyeshëm edhe në kohët e mëvonshme. Dallim bëjnë vetëm banorët e qyteteve bregdetare, që pavarësisht origjinës së individëve dhe familjeve, pavarësisht kohës se kur janë vendosur në brendinë e Ballkanit, ata megjithatë janë trajtuar ekskluzivisht si latinë.

Skica e paraqitur më lart, në çdo aspekt është shumë e përgjithësuar, por edhe mund të zgjerohet dhe të nuancohet dhe ajo njëherësh e imponon përvojën e këndvështrimit të mesjetës sipas kuptimit të “ngjarjeve “ në zhvillimin historik të popujve. Në fund mund të themi se asnjë ngjarje, asnjë proces tjetër nuk ka pasur ndikim vendimtar në zhvillimet e mëvonshme në Ballkan se sa ardhja e sllavëve të Jugut në viset e sotme ballkanike!

Falsifikimi dhe mitizimi i historisë në rastin e perandorit ilir Kostadinit – këndvështrimi serb

Megjithatë nuk është “mesjeta e errët” epokë që shënon falsifikimin apo fshehjen e fakteve historike që historiografia serbe e ka konsumuar më së tepërmi, sidomos në raport me Kosovën, por edhe me kombin shqiptar në përgjithësi. Vetë studiuesit serbë e kanë drejtuar gishtin edhe më larg duke afruar dëshmi se falsifikimi i historisë serbe nis qysh nga paraqitja e kohës së sundimit të perandorit ilir Kostadinit.

Antropologu Bojan Jovanoviq (1950) është i lindur në vendlindjen e perandorit të njohur ilir, Kostadini, në Nish. Këndvështrimi i tij është i rëndësishëm për faktin se ai në radhë të parë sikur ua tërheq vërejtjen bashkëqytetarëve të tij se ata “nuk kanë asgjë të përbashkët me perandorin ilir Kostadinin”. Duke folur për periudhën e sundimit të perandorit Kostadin, që ai e paraqet si një ilir të romanizuar, antropologu Jovanoviq e ka tërhequr vërejtjen se “në kohën e këtij perandori, serbët dhe fiset e tjera sllave kanë jetuar jashtë Gadishullit Ballkanik!”. Ai më pastaj thotë se mashtrimi apo vetëmashtrimi më i madh ndodh me identifikimin e serbëve me perandorin ilir, pasi “prezenca e fiseve të para sllave në Ballkan shënohet në dimrin e vitit 550 – 551, pas shkatërrimeve të avarëve që njëherësh i krijuan kushtet e vendosjes së përhershme të sllavëve në Ballkan. Pra, serbët dhe perandori Kostandin janë bashkëkohës të largët hapësinorë, përkundër që në shekujt e mëvonshëm serbët bëhen trashëgimtarë të traditës romake dhe në procesin e historisë ndryshojnë edhe vetitë e mjedisit në të cilin ata kishin jetuar më herët. Trashëgimia e pasur kulturore dhe historike e lidhur me një zonë të caktuar është njëra prej arsyeve që kolonistët e prejardhjeve të tjera etnike ta pretendojnë atë si tokë të trashëguar! Për të formuar dhe konfirmuar identitetin e tyre kulturor dhe kombëtar, këta kolonistë e mitizojnë të kaluarën e tyre dhe falsifikojnë historinë, prandaj ata historikisht i qasen procesit të riemërtimit me qëllim të përvetësimit të një trashëgimie, e cila duhet të shërbejë për ndërtimin e vetë identitetin të kolonistëve të ardhur”.

Për të qenë edhe më i qartë, antropologu Bojan Jovanoviq, sikurse iu drejtohet edhe vetë bashkëqytetarëve të tij të Nishit, gjegjësisht të vendlindjes së perandorit Kostadin.

"Banorët e sotëm të Nishit janë të largët si në kohë, por edhe kulturalisht prej perandorit Kostadin, por edhe lidhja e pretenduar e ndërmjetme midis serbëve dhe perandorit Kostadin është e pamundur, pasi dihet se procesi i kristianizmit ndër serbët nisi vetëm në shekullin IX!”, ka shkruar ai.

Famullitë katolike në Kosovën mesjetare dhe priftërinjtë shqiptarë

Siç e kemi cekur më lart edhe në rastin konkret, siç është fjala për famullitë katolike në Kosovën mesjetare, por edhe në shumë studime të tij, medievisti i njohur serb, Sima Qirkoviq, ka hezituar që gjërave t’u bjerë në teh kur në pyetje janë shqiptarët dhe historia e tyre. Përkundër përpjekjeve të ndriçimit të së kaluarës së Kosovës dhe besimtarëve katolikë kosovarë, ai megjithatë këtë të kaluar përpiqet që ta ndërlidhë me prezencën dhe garancitë e sasve dhe raguzianëve që ata i afruan për besimtarët katolikë të Kosovës mesjetare, duke e shmangur qëllimisht vazhdimësinë e prezencës së katolicizmit në Kosovë. Mirëpo, ai nuk jep përgjigje konkrete se çka iu deshën sasve dhe raguzianëve famullitarët shqiptarë në Kosovën mesjetare, qoftë edhe në rastet kur ata vinin prej viseve bregdetare!

Fillimisht Qirkoviq e ka bërë të njohur se “lëndë e temës së trajtuar janë famullitë katolike të shpërndara në një hapësirë të madhe të pjesës qendrore të Ballkanit në mjedisin e krishterë, pra në mjedisin jokatolik, gjë që para nesh e shtron nevojën që fillimisht të merremi me kufijtë kishtarë”.

Ai më tej ka vazhduar se “në këtë pjesë të Evropës, kufijtë midis krishterimit romak dhe atij lindor u stabilizuan vetëm nga mesi i shekullit XIII. Edhe pse kjo periudhë është e pandriçuar në mjaftueshmëri, duke u mbështetur në burimet e kohës, megjithatë lidhur me lindjen e këtyre kufijve mund të vërehen disa momente kyç, midis të cilëve padyshim se më i rëndësishmi është vendosja e autoqefalisë së Argjipeshkvisë së Ohrit pas rënies së Perandorisë së Samuilit dhe ripërtëritjes së pushtetit bizantin, mbi një pjesë të madhe të Ballkanit në vitin 1018. Pikërisht, në skajet e parokive veriore dhe perëndimore të Argjipeshkvisë së Ohrit, atëherë nisi vizatimi i kufijve midis juridiksionit romak dhe atij të Konstantinopolit dhe pas skizmës së njohur të vitit 1054, këta kufij njëherësh u shndërruan në kufij midis katolicizmit dhe ortodoksisë lindore.

Me kalimin e kohës, juridiksioni mbi territoret e brendshme të Gadishullit Ballkanik u verifikua me dekrete papnore dhe në periudha të caktuara historike, lidhur me këtë çështje shpeshherë erdhi edhe deri te grindjet midis metropoleve bregdetare. Ndërsa ndryshimet e rëndësishme në planin kishtar ndodhën pas vitit 1219, kur u themelua Kisha Autoqefale Serbe dhe kur brenda juridiksionit të saj u përfshinë tre ipeshkvi të vjetër, që u veçuan nga Argjipeshkvia e Ohrit (Prizreni, Rasha, Lipjani) përfshirë këtu edhe territoret që u gjetën nën sundimin serb, përveç qyteteve bregdetare dhe rrethinave të tyre. Por duhet potencuar se në këtë kohë më së shumti pësoi drejtimi me dioqezat e izoluara katolike, ku shpëtimin e gjetën heretikët dualistë dhe kjo situatë e vështirësoi veprimtarinë e kryeipeshkëve raguzianë.

“Pas gjithë këtyre ndryshimeve në këto territore, Kisha Romake vazhdoi të ishte prezente, por jo në formën e organizimit të zonave të juridiksionit të vazhdueshëm, por në atë të famullive apo të manastireve të izoluara”, ka përfunduar Qirkoviq.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë