Shtojca për Kulturë

“Hallakamë, pa rregullua...” gjen frymëzimin e lirinë në kaos

Atelieja e piktorit Arbnor Morina e zhvendosur në hapësirat e Qendrës për Kulturë dhe Art në Prizren

Arbnor Morina tok me kuratorin Valon Bllaca nuk i kanë hapur dyer e ateliesë së piktorit, por e kanë zhvendosur atë te publiku. Kësisoj është konceptuar ekspozita e titulluar “Hallakamë, pa rregullua...”, ku krahas veprave të përfunduara të artistit, janë shpalosur edhe punimet ende të papërfunduara. Aty ka edhe mjete të punës, libra e gjëra të tjera, që shoqërojnë artistin në punën e tij të përditshme. Me këtë lidhja midis artistit e publikut është më e fortë dhe në kaos zbërthehet liria kreative

Atelieja e piktorit prizrenas, Arbnor Morina, i ngjan rrëmujës. Por kjo parregullsi, sipas tij, zakonisht e lehtëson procesin krijues. Madje i frymëzon edhe miqtë e tij, që merren edhe me lloje të tjera të artit. Dhe pikërisht për ta prezantuar këtë frymë në tërësinë e saj, kjo studio është bartur në hapësirat e Qendrës për Kulturë dhe Art në Prizren për të qenë në kontakt me publikun, në mënyrë që ai të njihet për së afërmi me kreativitetin krijues të Morinës.

Kësisoj është konceptuar ekspozita e titulluar “Hallakamë, pa rregullua...”, ku krahas veprave të përfunduara të artistit, janë shpalosur edhe punimet ende të papërfunduara. Aty ka edhe mjete të punës, libra e gjëra të tjera, që shoqërojnë artistin në punën e tij të përditshme.

Image
“Hallakamë, pa rregullua...”, krahas veprave të përfunduara të artistit shpalos edhe punimet ende të papërfunduara

Në hapje të kësaj ekspozite, moderatorja Valtida Shukriu ka pohuar se ky aktivitet kulturor “ka për qëllim që të tregojë se si ‘hallakama’ pa rregulla mund të jetë më e rëndësishme sesa me rregulla”. Sipas saj, ekspozita krijon mundësinë, përkatësisht fton publikun që të njihet me punën artistike të Arbnor Morinës, teksa në të njëjtën kohë i ofron idenë se si artisti eksploron lirinë dhe kreativitetin dhe se si nuk ka kufi në vizionin e tij artistik.

Kuratori i ekspozitës, Valon Bllaca, ka vlerësuar se rrëmuja e ateliesë së Arbnor Morinës megjithatë ofron një ambient frymëzues dhe se ideja e ekspozitës është që publiku të bashkudhëtojë me artistin për ta parë dhe ndier procesin e tij krijues.

Image
Ekspozita ofron edhe idenë se si artisti eksploron lirinë dhe kreativitetin pa kufizime

“Kur erdhi ideja për këtë ekspozitë, natyrshëm erdhi edhe koncepti për t’i ftuar njerëzit me e pa se si është një atelie e një artisti, në këtë rast e Arbnor Morinës, me e pa, me e ndje edhe përmes kësaj ekspozite me bashkudhëtu me artistin, me e pa edhe rrugën e tij, me bashkëndje edhe masa, edhe publiku se jo gjithkush ka mundësi me qenë prezent, me e vizitu një atelie të një artisti", ka thënë Bllaca.

Piktori Arbnor Morina ka thënë se kuratori Bllaca është vizitor i shpeshtë i ateliesë së tij, bashkë me miq të tjerë madje edhe muzikantë, ku dikush pikturon, skicon, dikush bën muzikë e dikush lexon dhe se e tëra kjo studion e bën “hallakamë”.

"Megjithatë në atë rrëmujë njerëzit ndihen mirë dhe të relaksuar, si dhe të lirë në aspektin kreativ. Këtë ambient kuratori ka vendosur ta zhvendosë në Qendrën për Art dhe Kulturë”, ka thënë Morina.

Image
Rrëmuja e ateliesë së Arbnor Morinës megjithatë ofron një ambient frymëzues

Sipas tij, pikturat e ekspozuara shfaqin një larmi të stileve, përjetimeve dhe koncepteve. Ai pranon se varianti klasik i ekspozitës kërkon cikël, por sqaron se në këtë rast kuratori i ka përmbledhur pikturat e viteve të fundit, ku ka punime të periudhës së pandemisë, ka aso të vitit të kaluar, por edhe të javëve të fundit.

“Edhe për mua është interesant me i pa në këtë formë”, është shprehur Morina. Ka thënë se pret që me këtë ekspozite vizitorët të njihen më për së afërmi me kompleksitetin e krijimtarisë së piktorit. Ka thënë se jo gjithkush ka mundësi ta vizitojë një artist në studio.

“Është e pamundur edhe vetë artisti ose artistja me i pritë të gjithë dashamirët e artit e rrethin, mirëpo ndoshta unë pres njerëzit me e pa kompleksitetin e krijimit të një pikture, domethënë nuk është një artist që shkon e bën një pikturë për gjysmë ore, një orë edhe e publikon. Procesi i krijimit të pikturës është që shkon me javë, me emocione, me vizatime, me skica, nuk të pëlqen e mbulon dhe krejt ky proces që mund të shihet këtu në këtë ‘hallakamë’, koncept kuratorial i Valon Bllacës po besoj që njerëzit do ta kuptojnë më mirë se sa i ndërlikuar është krijimi i pikturës”, ka thënë Morina.

Kjo ekspozitë është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prizrenit.