Shtojca për Kulturë

Djegia e historisë

Në natën e së martës, qielli u skuq nga flakët e rrëmbyeshme në objektin ku më 1941 do të hapej Shkolla e Parë Shqipe në Ferizaj me emrin Ismail Qemali. U dogj vetëm një ditë pas fillimit të punimeve për restaurimin e saj. Për vite me radhë, u la në dorën e gjithkujt dhe të askujt, ani pse mbrohej në letër si monument i trashëgimisë kulturore. Me të digjet edhe historia

Pikërisht në vendin ku janë rrënjët e qytetit të ndarë në dysh nga hekurudha, në Stacionin e Trenit, në tetor iu këndua mallit për atdheun. “Agminepolis” nën regji të Kreshnike Osmanit ishte punuar enkas për edicionin e 52-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Ferizajasit i dëgjuan vargjet e Gjergj Fishtës dhe të Ali Podrimjes, nën interpretimin e Njomza Tmavës dhe Arbër Krasniqit në ditën e tretë të Festivalit.

Në ditën e pestë, në ndërtesën ku më 1941 do të hapej Shkolla e Parë Shqipe në Ferizaj me emrin Ismail Qemali, aktorët Dashuri Rexhepi, Bashkim Ramadani dhe Dora Xhemajli do të interpretonin performancën e regjisorit Kaltërim Balaj, “Udha e shkronjave 1946”. Në të njëjtin objekt, por më 1946 do të themelohej Gjimnazi i Ulët Shqiptar, që do të funksiononte deri më 1955.

Objekti që ndodhet matanë rrugës së teatrit “Adriana”, deri para disa vjetësh ishte shtëpi e filloristëve të “Jeronim de Radës” e herë si aneks i shkollës së mesme “Faik Konica”. Për vite me radhë, u la në dorën e gjithkujt dhe të askujt, ani pse mbrohej në letër si monument i trashëgimisë kulturore.

“Mundemi me ju njoftu me instrumentet: me kitarën, me pianon. Të gjitha instrumentet”, do të nxiste të qeshura Dora Xhemajli para shikuesve, derisa shikimin kishte hedhur kah tavani, duke iu referuar tavanin të varur copë e grimë. “E fundit, por ma e mira, është tabela”, do të vazhdonte ajo me zgjatje të zanores së fundit ironizimin artistik, derisa tabelë nuk kishte kurrkund.

Përpjekjet për “ringjallje”

Nëpërmjet artit po synohej të promovoheshin vlerat trashëgimore të objekteve të qytetit.

“Kjo shkollë veç shkollë s’është. Gjithçka tjetër po”, do të thoshte përmallshëm Rexhepi në klasën tjetër, pasi do t’i ndizte disa qirinj. Ndoshta si objekt, duket si shkollë, po mallin e shkollës nuk ta çon”, ishin fjalët e fundit të Rexhepit, ish-nxënës i “Jeronim de Radës”, para se t’i fikte qirinjtë ngulur në mur.

“Ne jemi përpjekur që nëpërmjet ‘RetroTeatrit’, si një kategori e veçantë e këtij edicioni, t’u kthehemi atyre objekteve dhe të themi se ato nuk kanë vdekur, porse kanë vdekur aktivitetet brenda atyre objekteve”, do të deklaronte ish-nxënësi i “Jeronim de Radës”, Besim Ugzmajli, drejtor artistik i teatrit “Adriana”.

Por gjashtë muaj pas performancës artistike “Udha e shkronjave 1946”, në natën e së martës, qielli u skuq nga flakët e rrëmbyeshme të shkollës së mbrojtur me letra. U dogj vetëm një ditë pas fillimit të punimeve për restaurimin e saj.

Image
Rreth orës 04:30 të mëngjesit të së martës, Policia ishte njoftuar se monumenti i ndërtuar më 1929 kishte marrë flakë

Ende po dilte tym në mesditën e së mërkurës kur historiani Ramadan Ramadani, pa me sytë e tij gjendjen e objektit të shkrumbuar ku në fillim të viteve shtatëdhjetë, u kishte dhënë mësim gjimnazistëve ferizajas. “Lajm i mirë ishte kur morëm vesh se Ministria kishte marrë vendimin për restaurimin dhe adaptimin e saj, por lajmi i hidhur ishte dje kur morëm vesh se njëri prej objekteve më të vjetra shkollore, ku ka filluar shkolla e parë shqipe në Ferizaj, është djegur”, ul tonin e zërit Ramadani në fund të fjalisë para shiritit verdh e zi të policisë me mbishkrimin “Do not cross”. Vendi, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, filloristët do të mësonin shkronjat e para me abetare shqipe, ishte rrethuar nga policia e prokuroria si një skenë krimi.

Djegia e shkollës ka nxitur reagime të shumta të qytetarëve, por sidomos të komunitetit artistik.

“Si qytetare dhe si artiste, me të vërtetë jam shqetësuar shumë fillimisht kur e kam pa në rrjete sociale. Nuk e kam pritur sepse, jo vetëm unë, por shumica e artistëve këtu në qytet kemi lobu që ky objekt të rinovohet”, thekson piktorja Lebibe Topalli.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ngulmon se qytetarët i çmojnë vlerat e trashëgimisë kulturore, pavarësisht se pos papërgjegjësisë së institucioneve për mbrojtjen e objektit, oborri e hapësirat e brendshme ishin vërshuar nga mbeturinat prej kalimtarëve dhe përdoruesve të substancave narkotike.

“Njerëzit e kanë kryer një shkollë, janë punësuar, e kanë kaluar një pjesë të fëmijërisë së tyre dhe e kanë krijuar identitetin mbi referenca fizike të zonës ku kanë jetuar për një lloj identifikimi me lagjen, me qytetin, me të kaluarën tënde që pas një kohe bëhet vetë ajo çfarë je ti”, ka theksuar Çeku, i cili ka dalë dy ditë radhazi para objektit, për mbrojtjen e të cilit kishte përgjegjësi edhe ministria që e drejton.

Nxënësit e parë u “rekrutuan” me daulle e sheqerka

Por cila është historia e ndërtesës së parë shqipe në Ferizaj?

Në shkollën e ndërtuar gjatë viteve 1928-30, ishte mësuar në gjuhën serbe, por nga 4 nxënës shqiptarë në vitin e parë, nuk do të mbetej asnjë në vitin e katërt prej mbi 30 nxënësve – kryesisht serbë – për shkak të represionit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. “Kanë tentu me pengu popullatën shqiptare, veçanërisht në procesin e arsimit”, thekson Ramadani. Prapa e tij e matanë shiritit, policët civilë nga njësitet hetuese shkrepin fotografi e mundohen të mbledhin gjurmë për zbardhjen e krimit.

Në kohën e katastrofës së madhe të Luftës së Dytë Botërore, shumicës së trojeve shqiptare paradoksalisht iu krijua mundësia e mësimit shqip. Shkolla fillore, “Ismail Qemali”, do të hapej më 1941 me vendim të ministrit të atëhershëm të Arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi. Sipas një dokumenti të gjetur nga historiani Ramadani në Arkivin e Kosovës, shkolla ishte hapur më 27 nëntor 1941 me drejtor Fadil Hoxhën nga Shkodra. Nga viti 1946 do të kthehej në Gjimnazin e Parë të Qytetit që do të funksiononte deri më 1955.

Por si ishin sjellë nxënësit e parë nga rruga në shkollën e parë shqipe në qytet?

“Shaban Vata, i cili ka qenë hafëz, ka qenë edhe myezin në xhami, por një njeri i cili e ka dashur arsimin, e ka dashur kulturën, një njeri që ka dhanë shumë arsimin në Ferizaj, merr muzikën, daullet nëpër qytet dhe fëmijët vrapojnë pas muzikës, duke i rreshtuar qytetit dhe në rresht i ka pru para kësaj ndërtese këtu ku jemi”, thekson Ramadani, duke treguar se si nxënësit e parë ishin joshur edhe me sheqerka. “Pastaj i sistemon brenda. Pra, aty e ka zanafillën shkolla e parë shqipe në Ferizaj”.

Pingpong me trashëgiminë

Më 2016, artistët ferizajas nëpërmjet një peticioni, i kishin propozuar Komunës që një pjesë të shkollës ta kthente në hapësirë për hapjen e një shkolle arti.

“Është periudha kur edhe në Ferizaj është hapur shkolla e mesme e artit figurativ, dhe ne kemi bërë atëherë kërkesë që shkollën e parë ta hapim në këtë ambient”, ka treguar Topalli. “Qëllimi ynë kryesor ishte të funksionalizohej përsëri ky objekt – shkolla e parë, gjimnazi i parë – dhe e kemi parë shumë të arsyeshme që prapë të funksionalizohet në shkollë të mesme, por kësaj here në shkollë të artit, pasi është njëri ndër të paktët objekte që ka një arkitekturë të veçantë që e plotësonte shumë shkollën e artit dhe është objekt i vjetër”.

Atëherë jozyrtarisht po diskutohej mundësia e rrënimit të shkollës dhe dhënies së hapësirës kompanive private për ndërtime të larta. Pas djegies, zyrtarët komunalë kanë shprehur zotimin e tyre për mbrojtjen e objektit, derisa deputetët ferizajas të Vetëvendosjes kanë përsëritur akuzat ndaj pushtetit lokal se synon rrënimin e objektit.

“Qyteti është më shumë sesa qendra tregtare, ndërtesa të reja, hapësira e rrugë që vijnë si investime të reja. Pa kujtesën, qytetet mbesin pa identitet”, ka thënë ministri Çeku, duke u zotuar se Ministria do ta restaurojë objektin, por së pari do ta rivlerësojë projektin fillestar. Ende nuk dihet se cili do të jetë destinimi përfundimtar.

Image
Në kohën e katastrofës së madhe të Luftës së Dytë Botërore, shumicës së trojeve shqiptare paradoksalisht iu krijua mundësia e mësimit shqip. Shkolla fillore, “Ismail Qemali”, do të hapej më 1941 me vendim të ministrit të atëhershëm të Arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi. Hafëzi Shaban Vata, nxënësit do t’i joshte edhe me muzikë e sheqerka

“Nuk është vetëm ky objekt që është djegur”

Para një muaji, Besa Jahiu e Shkëndije Aliu, mësuese të “Jeronim de Radës”, që ndodhet në objektin matanë rrethojës, i çuan nxënësit në shkollën e vjetër, ku kishin mësuar prindërit e tyre.

“Meqë shkollën e kemi afër, le ta shohin dhe le ta ndiejnë si ka qenë kjo shkollë dikur”, ka theksuar Aliu, duke treguar se fëmijët megjithatë, nuk kishin informacione për shkollën. “Dhe ne na ka nxitur kjo si mësuese që duhet të fillojmë t’i njoftojmë fëmijët”.

Filloristët e klasave të pesta u kishin propozuar mësueseve që shkolla të kthehej në muze të historisë së arsimit ferizajas.

Një propozim të ngjashëm e ka bërë një javë para djegies edhe mjeku dhe humanisti ferizajas, Agim Bytyçi, i cili u ka dorëzuar autoriteteve komunale 1.100 fotografi, faksimile, por edhe xhirime të historisë së shekullit XX të Ferizajt, i cili sivjet po shënon 150-vjetorin e themelimit. Në kompjuter, Bytyçi ka treguar fotografitë e gjeneratës së parë të filloristëve të “Ismail Qemalit” të vitit shkollor 1941-41. Poshtë fotografisë së mësuesit Shaban Vata janë edhe emrat e nxënësve të parë. Ka edhe të gjimnazistëve të parë.

Nxënësit e Jahiut dhe Aliut kanë mbajtur të mërkurën një orë mësimore për rëndësinë e monumenteve historike.

“Ne vendosëm t’i kthehemi edhe njëherë temës dhe t’ua rikujtojmë gjeneratave të reja rëndësinë e këtyre monumenteve, por në të njëjtën kohë t’u bëjmë thirrje edhe atyre, edhe prindërve dhe komunitetit që ta ruajmë këtë trashëgimi kulturore që e kemi”, thekson Jahiu pranë shkollës së djegur, ku kolegët e moshuar kishin dhënë mësim për dekada të tëra.

Por institucionet nuk po kujdesen për ruajtjen e objekteve dhe inventarit që qytetarëve u ngjallin kujtime të ditëve të tyre më të mira, por edhe të periudhave më sfiduese për arsimin shqip.

Dy mësuesve u ka ngelur peng se si nuk kishin shkrepur asnjë fotografi për ta pasur kujtim prej vizitës.

Por mbase duke llogaritur se e kanë afër, do të mund të vizitonin më shpesh. Shpresat se do të rimëkëmbet nuk janë shuar, por duke pasur parasysh neglizhencën e institucioneve ndaj trashëgimisë kulturore, kushedi edhe sa do të presin derisa të hiqet hiri e t’i kthehet shkëlqimi shkollës që mbante emrin e burrit që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

“Jo po e djegim historinë – unë e pata një bisedë edhe me ato çikat (mësueset, v.j.), pothuajse të njëjtën pyetje ma shtruan – raporti ynë, kujdesi ynë, sjellja jonë, në përgjithësi si shoqëri po flas, fare nuk kemi kujdes ndaj ruajtjes së trashëgimisë kulturore, ndaj argumenteve dhe fakteve që i ka pasur Ferizaj”, thekson historiani Ramadani. “Nuk është vetëm ky objekt që është djegur”.

Ferizaj ka rrafshuar edhe ndërtesën e burgut dhe objektin e vitit 1924 të shkollës “Tefik Çanga”. Objekti i vjetër i shkollës “Gjon Serreçi” mezi po mbahet në këmbë dhe nuk është ndërhyrë për ta ruajtur, edhe pse është futur në listën e objekteve të mbrojtura të trashëgimisë.